#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Takimi i kryeministrit Edi Rama në Greqi më datën 12 maj ka marrë një vëmendje të madhe, ku dy liderët e dy vendeve kanë bërë deklarata kundrejt njëri-tjetrit .Diskutime dhe replika të ndryshme ka patur kryesisht për kontestin për të cilën do të zhvillohet kjo vizitë, duke marrë parasysh zgjedhjet Europiane në Greqi dhe raportin delikat që kanë aktualisht dy shtete fqinje. Kjo temë do të jetë në fokus të diskutimeve në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Apeli i Luarasit: Shkoni te psikologu! Po të iku kokrra e grurit s’ka…

Alma Arrazi, në kulmin e qetësisë mori fëmijët e saj dhe shkoi drejt urës së Bunës, aty ku do të kryente aktin tronditës, të vetëflijohej duke marrë me vete 3 fëmijët e saj.


Pedagogia Iris Luarasi, e ftuar në “Opinion”, e cilësoi një akt makabër që tregon se 39 vjeçarja nuk ka qenë mirë mendërisht. Ajo tha se çdo grua duhet ta denoncojë dhunën dhe vizita te psikologu duhet të kthehet në një praktikë në Shqipëri, sepse kujdesi ndaj shëndetit mendor është më i rëndësishmi.

Iris Luarasi: Jo vetëm që është e çuditshme, por dramatike. Kur e shoh mendoj që, ajo grua sigurisht nuk ka asnjë lloj subkoshience apo koshience që i punon, se të tërë një kokërr gruri e kemi mendjen. Më duket një njeri që ka marrë vendimin të marrë me vete dhe fëmijët, që është një gjë e tmerrshme…Makabre! Nga ana tjetër tregon sa alarmante është dhuna në familje në Shqipëri, ky është rezultati..

-Duket e çuditshme si njeri shkon me këtë lloj qetësie…

Iris Luarasi: Kam parë një anatemim njerëzish që villnin vrer kundër kësaj, që thonin “të të tradhtojë burri, si mund të marrësh ti fëmijët me vete?!”…Që është e vërtetë! Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ky është një njeri që nuk i punon truri. Njerëzit duhet të kërkojnë ndihmë, ky është problem, se mendojnë që divorci është gjëja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë njeriut në jetë. Në fakt, jo! Kjo që u ka ndodhur atyre është gjëja më e tmerrshme në jetë, akti më makabër që mund të bëjë një nënë. Duhet kërkuar ndihmë, 5 shërbime ekzistojnë dhe në një vend si Shqipëria. Të dhunon burri dhe nuk e denoncon, ky është turpi. Nuk është turpi kur burri të tradhton.

-Ecin pa e ditur se ku po shkojnë…

Iris Luarasi: Një pjesë të sëmurëve mendorë i kemi afër dhe nuk e dimë. Sepse shqiptarët të shkojnë te psikologu e kanë për turp të madh. Te psikologu njeriu shkon kur është i shëndetshëm mendërisht, se po të iku “kokrra e grurit” nuk ka psikolog që ta çon në vend.

Rama kërkoi sheshin simbolik të Greqisë? Klosi jep detajet: Takim me rreth 10 mijë shqiptarë

“Aktiviteti mund të pengohej vetëm nga ana teknike”

Në orën 11:00 të Dielën, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takim me rreth 10 mijë shqiptarë në Greqi, në një sallë të madhe për të cilën është rënë dakord. Kështu deklaroi sonte në “Opinion” Sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi.

Ai theksoi se paraprakisht vizita është pritur mjaft mirë nga diaspora atje, dhe se “zyrtarisht nuk ka pasur asnjë lloj kundërshtie”. Sipas tij, aktiviteti mund të pengohej vetëm për çështje teknike.

Blendi Klosi: Unë personalisht sëbashku me dy, tre kolegë kemi qenë në Athinë. Vizituam dy, tre salla

-Mediat thonë se keni kërkuar sheshin “Syntagma”.

Blendi Klosi: Patëm një takim me drejtuesit e atij ambienti, me menaxhuesit, se pronar është Bashkia. Një bashki e vogël pranë Athinës. Patëm takime me përfaqësues të shtetit grek, morëm të gjitha dakordësitë dhe pastaj bëmë publike datën. I kemi bërë në një linjë zyrtare, paraprakisht pa shkuar në “kërcitje”. Në momentin që nisëm organizimin, pati një ndjesi shumë pozitive për takimin, filloi kjo historia e sallës, kemi komunikim, s’kemi komunikim…Përsëri ishim në Athinë, edhe para dy ditësh. Nuk kemi pasur ndryshim të ambientit, po organizohet një takim i 10 mijë shqiptarëve. Aty nisi problemi i parë…S’kemi pasur negativitet nga përfaqësues zyrtarë, u futën ca probleme teknike, që besoj se do zgjidhen.

Blendi Fevziu: Nëse keni kërkuar sheshin para Parlamentit, sheshin simbolik të Greqisë, në një moment të raporteve kaq të tensionuara shqiptaro-greke, s’ka si mos të merret si karshillëk. Nëse Mitsotakis do vinte të bënte miting në sheshin “Skënderbej”, edhe ne…

“Provokon me datën”, gazetarja tregon si po pritet takimi i Ramës me shqiptarët në Athinë: Boom mediatik

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim të dielën e 12 Majit në Athinë. Mirëpo ky takim ka pasur shumë reagime në Greqi nga politikanët dhe mediat atje.

“Ka patur një boom mediatik. Ka një referim të vazhdueshëm dhe pyetje jashtëzakonisht të shpeshta. Kam pasur shumë kërkesa dhe për prononcim për media që nuk bashkëpunoj këtu në Greqi. Ka një interes të jashtëzakonshëm në të gjithë këtë aktivitet”, tha gazetarja Ira Londo, gazetare në Athinë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Nga qeveria shqiptare ky takim është transmetuar si një lloj feste për komunitetin shqiptar atje, por jo për mediat greke. Shkak është bërë edhe çështja se ku do të mbahet aktiviteti. Gazetarja tha se takimi me komunitetin shqiptar do të mbahet në zonën e Galatsi në Christmas Theater.

“Në çdo media vizive apo të shkruar ka artikuj të vazhdueshëm për çdo ecuri të kësaj ngjarje, nga ambienti që u konfirmua sot. Informacionet e mia tepër të sigurta thonë se është mbyllur çështja e stadiumit, Christmas Theater në zonën Galatsi sot. Vërtetë ishte çështje teknike e cila na preukoponte të gjithë sepse kërkojnë vazhdimisht emigrantët këtu të dinë se kur do bëhet dhe ku ky takim. Çështja teknike ishte se në këtë stadium ka shumë kërkesa dhe nëse do realizohej pasdite do kishte dy aktivitete paralelisht. Ne do të jemi të gjithë të dielën në stadiumin e mbyll nga ora 11:00 deri në orën 2:00”, raportoi gazetarja.

Sa i përket kësaj çështje ka qenë më shumë se logjistike se sa politike.

“Nëse do donin të pengonin nuk do ishte miratuar as sot. Kishte shumë vonesa dhe kishte shumë diskutime”, tha gazetarja Londo.

Por cilat kanë qenë temat që kanë dominuar në debatet mediatike në Greqi për vizitën e Ramës. Një ndër to është edhe fakti se data sipas mediave greke përkon me arrestimin e Fredi Belerit duke e konsideruar si provokim. Në të njëjtën ditë niset edhe Mitsotakis në Turqi për t’u takuar me Erdogan. Një çështje tjetër ishte edhe nëse do të ndikojë Rama për zgjedhjet për Parlamentin Europian.

“Kishte tre tema. E para ishte data e zgjedhur për vizitën këtu siç e tha dhe media greke provokon duke ardhur më 12 Maj, 1 vit pas burgosjes së Fredi Belerit, si dhe ditën që niset Mitsotakis për takimin me Erdogan në Ankara. Tema e dytë është diskutuar shumë është ambienti, përse nuk po e siguron dot Rama. E treta është se sa do të ketë rol, sa do të ndikojë kjo vizitë në zgjedhjet europarlamentare dhe kë do të favorizojë si përfundim kjo vizitë këtu. Do të favorizojë qeverinë Mitsotakis të cilën në deklaratën e fundit edhe i thuri lavde, edhe mbështet Rama, do të favorizojë opozitën e majtë apo frymat ekstremiste”, tha gazetarja.

Londo tha se Rama nuk do të ketë asnjë takim me qeveritarë grekë.

4 “kartat” e Ramës! Analisti: Po shkon si “triumfator” në Athinë, hera e parë që ndodh

“Ekspozoi inatin e palës tjetër, krijoi përplasje politike”

Takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, analisti Redi Shehu e sheh në një spektër tjetër, mjaft interesant.

Sonte në studion e “Opinion”, së pari ai theksoi se Rama po provokon në heshtje me simbolika. Nisur që nga data e zgjedhur, 12 Maji! Është fiks një vit nga arrestimi i Fredi Belerit, i cili u kthye dhe në arsyen e tensionimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Së dyti, kreu i qeverisë shqiptare ‘pa shumë mund’ krijoi përplasje mes dy forcave politike greke. Përtej këtyre, Shehu thotë se ai po shkon në Athinë si një triumfator sa i takon çështjes së Himarës. Parashikon edhe mënyrën si do flasë para mijëra shqiptarëve, me korrektësi të plotë!

Nëse ka një gjë që Rama nuk duhet të kritikohej të paktën nga krahu jonë është mënyra si bën politikën e jashtme. Duke u zhvesh nga bindjet dhe pozicionet politike, duhet t’i japim hakun kësaj gjëje, që në marrëdhëniet politike ndërkombëtare Shqipëria ka arritje. Këtë nuk mund ta mohojmë. Kjo vlen dhe për rastin e Greqisë. Rama i qaset Greqisë në disa forma shumë interesante. Së pari, ai tenton të bëjë një “shah mat” me Mitsotakis duke përdorur disa simbolika. Simbolika e 12 Majit… Për ta ekspozuar palën tjetër, Mitsotakis në inatin e tij. Pra, ai duke përdorur simbolika në heshtje, se nuk janë rastësi…Kjo e detyron palën tjetër të ekspozohet dhe në fakt u ekspozua! Mitsotakis tha “nuk do t’ia lehtësojmë”. Ai e di që me çdo protokoll, i duhet ta mirëpresë…Por ama thotë nuk do t’ia lehtësojmë. Në inatin e tij! Ky inat na shpërfaqet prej kohësh, që fillon që nga historia.

Shkon atje, duke artikuluar me kujdes, për të përçarë spektrin politik grek, jo se ka ndonjë influencë të madhe për ta bërë, po vetë veprimi shkakton përplasje. Syriza me Demokracinë e Re kanë nisur përplasje për shkak të vizitës së Ramës…Që do të thotë nëse ti ke një vit që më shkakton përçarje me Belerin, edhe unë vij atje dhe pa folur, me simbolika, ta fus vendin tënd në një debat politik dhe elektoral. Shkon me kartë triumfaliste! Me çështjen e Himarës shkon atje si triumfator. Jo vetëm që çështja po mbyllet në favor të Greqisë, por shkon atje me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Është hera e parë që ndodh në Greqi. Dhe e katërta, kur të shkojë në miting jam i bindur që nuk do përdorë asnjë retorikë kontradiktore, por do mbështesë më shumë dialogun dhe bashkëpunimin mes kombeve. Nga njëra anë me veprime provokon, me artikulim bashkon!“, u shpreh Shehu.

Blendi Klosi flet për raportet mes Ramës dhe Veliajt

Fjalimi i fundit i kryeministrit Edi Rama në mbledhjen me grupin parlamentar ka shtruar pyetjen nëse ka një thyerje të raportit të tij me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, foli për marrëdhëniet Rama-Veliaj pasi u pyet këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku ishte i ftuar. Ai tha se i shikon raportet mes të dyve, të drejta dhe korrekte.

“Unë mendoj janë raporte shumë të drejta, raporte korrekte, raporte të asaj që e thanë dhe kolegët të një ekipi që lufton, përpiqet, kontribuon, zhvillon qytetin. Problematika ose raporte që ka me të 12 drejtuesit politikë për arritjet në fushatë elektorale, për rezultatet, për punët që ne kemi sepse realisht politika nuk është vetëm e folura. Politika është punë, ose forcat politike duhet të punojnë, duhet të organizohen. Politika nuk bëhet më vetëm me të folur. Politika do të punosh në terren, të organizohesh, të ecësh përpara, të takosh njerëz. Si ky mitingu i Athinës. Është kollaj të thuash po bëjmë një miting në Athinë, por sa punë duhet pas kësaj që të realizohet”, tha Klosi.

Sa i përket fjalimit të Ramës, Klosi tha se kreu i qeverisë nuk ka lëshuar asnjë, por fjalët e tij janë divizë e selisë rozë që kur ka marrë pushtetin, për të bërë një reformë drejtësie e ku askush nuk është i mbrojtur nga politika.

“Kë ka lëshuar Edi Rama? Nuk mendoj që ka një lëshim nga fjalimi i pardjeshëm. Është një divizë që kur morëm pushtetin në 2013, do bëjmë një reformë në Drejtësi. Reformë që e ndërtuam, e ngritëm me vullnet, ka tashmë një produkt që të gjithë e pranojnë, edhe ata që janë opozitarët më të fortë të Edi Ramës dhe PS thonë që është ngritur një institucion që po vendos drejtësi në vend. Logoja e këtij institucioni është pandëshkueshmëria, pra askush nuk është më i mbrojtur nga politika përballë drejtësisë, këtë tha Rama dje dhe nuk lëshoi njeri”, tha Klosi.

/tvklan.al