Paqja e marrëveshjes mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend zgjati jo më shumë se 3 muaj. Fitilët u ndezën nga vendimi i kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla për të rrëzuar kërkesën e grupit demokrat për rikthimin e Sali Berishës.
Lindita Nikolla: Është përjashtuar nga grupi parlamentar me vendim të Partisë Demokratike dhe duhet që të futet në grupin parlamentar po me vendim të Partisë Demokratike.
Oerd Bylykbashi: Është veprim i qëllimshëm për të bllokuar opozitën në kryerjen e detyrës së saj dhe kjo është antikushtetuese.
Debati morri tjetër rrjedhë kur nuk iu dha fjala deputetit Flamur Noka, situatë që çoi deri në ndërprerjen e seancës.
5 minutat e pushimit nuk shërbyen për të ulur tonet. Deputetët e PD bllokuan foltoren ndërsa Flamur Noka u përjashtua nga seanca.
Kryetarja e Kuvendit rrëzoi edhe kërkesën për zhvillimin e mocionit me debat për publikimet e Rai 3.
i: Ajo që kryetarja e Kuvendit ka vendosur të bëjë me mocionin për debat të kërkuar nga grupi parlamentar i PD nuk është thjesht shkelje e Kushtetutës, por pjesë e një filozofie që e ka shpallur luftën ndaj krimit të organizuar si jashtë fushës së veprimtarisë të Këshillit të Ministrave!
Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali i konsideroi deputetët e opozitës si ushtri të turpit opozitar.
Elisa Spiropali: Të dilni jashtë dhe të shtoni numrin e protestuesve jashtë Flamur sepse këtu jeni shumë pak dhe këtë po jua them me dashamirësinë e një njeriu që kërkon që sot të vijojë seanca normalisht.
Ndonëse i përjashtuar nga seanca, Flamur Noka nuk e respektoi vendimin e kryetares, duke tentuar që të fliste nga mikrofoni i kolegëve të tjerë deputetë.
Seanca u ndërpre sërish dhe vetëm pas disa minutave, diskutimet iu rikthyen normalitetit.
Klan News