Katër persona janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në vijim të punës së policisë për kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike apo që posedojnë armë zjarri.

Nga operacioni i koduar “Parkimi” u vunë në pranga katër të rinj të moshave nga 28 deri në 33 vjeç. Ndërkohë u bë shpallja në kërkim e M. Ç., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë marrë informacione në rrugë operative se këta persona shpërndanin lëndë narkotike kokainë e kanabis në doza të vogla, në zona të ndryshme në Tiranë.

Gjatë operacionit në zonën e Selitës, nga kontrolli i ushtruar në banesën e M. Ç., i cili është dhe personi organizator i kësaj veprimtarie kriminale, Policia gjeti dhe sekuestroi tri armë zjarri pistoletë, doza me lëndë narkotike kokainë, 19 aparate celular, 10 ora dore, 600.000 lekë dhe 5000 euro.

Gjithashtu, po gjatë kontrollit fizik të ushtruar në parkingun e lokalit të K. S., shtetasve E. K., 28 vjeç dhe E. K., 33 vjeç, Policia u gjeti doza me lëndë narkotike kanabis.

Vijon puna për kapjen e 28-vjeçarit të shpallur në kërkim, i cili ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes nga Policia./tvklan.al