“Opozita e gatshme të negociojë në këshill për hapjen e listave”

Ndonëse Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave të deputetëve dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore, fjalën e fundit për mënyrën sesi do të votojnë shqiptarët në zgjedhjet e vitit 2021 do ta thotë Këshilli Politik.

Ky organ i mandatuar për të bërë ndryshimet në Kodin Elektoral pritet të mblidhet brenda muajit Shtator dhe opozita do të jetë pjesë e tij.

Nënkryetari i demokratëve Edi Paloka thotë se opozita nuk do të lëshojë asnjë kompromis sa i përket riorganizimit të koalicioneve parazgjedhore, duke i qëndruar marrëveshjes së 5 Qershorit të dakordësuar me ndërkombëtarët.

“Kjo marrëveshje e 5 Qershorit  nuk mund te preket dhe në bazë të marrëveshjes do diskutojmë në tryezën e përbashkët çdo detaj. Në marrëveshjen e 5 Qershorit është mëse e qartë që koalicionet qëndrojnë në formën që janë sot në kod. Nëse kjo pikë preket është prishur marrëveshje, kjo është e qartë për ne dhe për partnerët që ka dalë garant. Pika ku nuk negociohet është ajo e koalicioneve”.

E teksa çështja e koalicioneve është e panegociueshme për opozitën, ajo e hapjes së listave duket më e mundur për t’u dakordësuar me shumicën. Mazhoranca mbështet një hapje me të paktën 2/3 e listës, ndërsa demokratët janë shprehur pro hapjes 100% të saj.

Teksa na ndajnë 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Presidenti Meta do të takohet me kryetarin Basha të premten në nisje të konsultave me partitë politike për caktimin e datës se kur do të zhvillohen. Paloka thotë se demokratët janë gati për mbajtjen e tyre sa më parë me qëllim largimin e qeverisë.

“Një ditë e më parë të bëhen zgjedhjet që të largohet Rama, një ditë më shumë e fituar për Shqipërinë sa më shpejt të bëhen zgjedhjet aq më shpejt fillon kthimi në normalitet”.

Motorët e fushatës Lulzim Basha tha se demokratët i ndezën me nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Por ende në selinë blu nuk janë përcaktuar drejtuesit politikë të qarqeve.

Procesi që ka nisur tashmë në kampin kundërshtar, në Partinë Demokratike do të fillojë menjëherë pas përfundimit të fazës së dytë të seleksionimit të kandidatëve që do t’i shkojnë për votim bazë sipas parimit “një anëtar, një votë”.

Tv Klan