Turisti i vitit 2022 kërkon natyrë. Sipas një kërkimi të kryer nga The 2022 Traveller, rezulton se pas pandemisë, turisti ka zhvilluar një nevojë shumë të fortë për mjedisin dhe kërkohen më tepër se kurrë eksperienca për ta jetuar më tepër mrekullinë e natyrës. Dhe sipas muajve sugjerohen edhe vendet më të përshtatshme anembanë botës për të përjetuar fenomenet natyrore kur japin spektaklin më të mirë.

Muaji janar, sipas ekspertëve, është më i përshtatshmi i vitit për të vizituar pasqyrën më të madhe në botë, në Bolivi, që njihet Salar de Uyuni. Është një sipërfaqe mbi 10 mijë km2, dhe është ajo çka mbetur nga një liqen i kripur i avulluar.

Sot është kriporja më e madhe në botë. Sugjerohet të vizitohet në janar pasi shirat e pakta të stinës e mbulojnë vetëm me pak cm ujë dhe ish liqeni transformohet në një pasqyrë gjigande duke u bërë njësh me qiellin. Ndodhet në 3650 m lartësi mbi nivelin e detit dhe në zonë ekzistojnë hotele dhe struktura turistike të cilat janë të ndërtuara plotësisht me kripë. Temperaturat nga nëntori deri në janar janë më të lartat e vitit me 21 gradë Celcius, por netët janë gjithnjë të ftohta me temperature që shkojnë nga -9 gradë deri në 5 gradë Celcius.

Klan News