Papa Françesku ka kritikuar indirekt presidentin Vladimir Putin lidhur me sulmin rus të Ukrainës, duke thënë se po nxit konflikte për interesa nacionaliste.

Moska i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak” i krijuar jo për të pushtuar territore, por për të çmilitarizuar fqinjin e saj. Françesku tashmë e ka hedhur poshtë këtë terminologji, duke e quajtur atë një luftë.

“Nga lindja e Evropës, nga toka e lindjes së diellit, tani janë përhapur hijet e errëta të luftës. Ne kishim menduar se pushtimet e vendeve të tjera, luftimet e egra në rrugë dhe kërcënimet atomike ishin kujtime të zymta të një të kaluare të largët. Sidoqoftë, era e akullt e luftës, e cila sjell vetëm vdekje, shkatërrim, ka goditur  fort tashmë  jetën e shumë njerëzve”.

Papa tashmë ka dënuar ashpër atë që ai e ka quajtur një “agresion të pajustifikuar” dhe ka denoncuar “mizoritë” në luftë. Këto deklarata Papa Franceku i bëri nga Malta aty ku edhe po zhvillon vizitë dy ditore. Sakaq, Ati i Shenjtë është ftuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe kryetari i bashkisë së Kievit Vitaliy Klitschko për të vizituar Ukrainën.

Klan News