Pas takimit që pati në Vatikan me Atin e Shenjtë, Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale shkruan se Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme dhe e ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në vendin tonë.

Rama thotë po ashtu se Ati i Shenjtë përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët dhe përshëndet gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe qeverisë shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e tempullin kushtuar Nënë Terezës në Tiranë.

“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Vatikan, Itali, me rastin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Kryeministri, i cili u shoqërohej në këtë vizitë nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tij Zaho, u prit në një takim të veçantë nga Papa Francesku, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Ky është takimi i dytë që Kryeministri Rama zhvilloi me Atin e Shenjtë. Biseda e përzemërt mes tyre, u fokusua në marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe vullneti i përbashkët për forcimin e tyre të mëtejshëm.

Në shkëmbimin tradicional të dhuratave, Papa Françesku i dhuroi Kryeministrit Rama një basoreliev prej bronzi të Noah, disa dokumente papale, ndër të cilat mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama i dhuroi Papa Franceskut mes të tjerash një letër të njohur të At Gjergj Fishtës./tvklan.al