Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për “Parandalimin e Falsifikimit të Monedhave”.

Gjatë fjalës së tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko është shprehur se ka një rënie të konsiderueshme të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim.

Këtë argument, guvernatori e ka dhënë me shifra konkretë teksa ka shtuar se Shqipëria renditet në një nga vendet me treguesin më të ulët të monedhave të falsifikuara.

Gent Sejko: Të dhënat e fundit që kemi është që ka një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim. Ku për vitin 2022, numri total është 343 copë, kundrejt një gjendje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157 milionë copë. Përsa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar në sasi të papërfillshme vetëm me 79 copë për vitin 2022. Tregues i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim e rendit Shqipërinë në një nga vendet me treguesin më të ulët të monedhave të falsifikuara.

Gjatë fjalës së tij, guvernatori Sejko ka thënë se kjo marrëveshje e nënshkruar mes 3 institucioneve është një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit.

Gent Sejko: Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruajnë sot këtë marrëveshje bashkëpunimi, si një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit.

Të pranishëm kanë qenë dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela të cilët kanë firmosur së bashku me Guvenratorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko marrëveshjen e bashkëpunimit për “Parandalimin e Monedhave të Falsifikuara”./tvklan.al