Teksa pak orë na ndajnë nga protesta e opozitës, godina e Parlamentit të Shqipërisë është rrethuar nga telat me gjemba. Mbi 1200 forca policie pritet që të blindojnë parlamentin në protestën e dytë të opozitës, që vjen pak ditë pas asaj të 16 Shkurtit, e cila u përshkallëzua në dhunë përpara godinës së Kryeministrisë.

Më herët gjatë të kësaj të mërkure, Policia e Shtetit tha se ka të dhëna se protestuesit e opozitës do të hyjnë me forcë në sallën e parlamentit. Në të njëjtën kohë, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi anulimin e seancës plenare të së enjtes.

Vetë opozita e hodhi poshtë deklaratën e policisë dhe u shpreh se nëse ka një skenar dhune, apo sulmi ndaj institucioneve, ky skenar gjendet në zyrën e Kryeministrit Rama.

Ndërkohë, gjatë orëve të mbrëmjes, deputetët e opozitës firmosën dorëheqjen e tyre nga mandati i deputetit.

/tvklan.al