Është rrëzuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja “Partizani”. Lajmin e bën të ditur gazetarja e Klan News Glidona Daci e cila thotë se kërkesa e palës mbrojtëse të ish-kryeministrit Sali Berisha është rrëzuar nga gjyqtarja Flora Hajredini.

(Lexo më shumë)

Pala mbrojtëse e kryedemokratit e dorëzoi sot paradite shkresën zyrtare për përjashtimin e Gjokës nga gjykimi i kërkesës penale të SPAK për marrjen në pyetje të Berishës.

Ky i fundit ka hedhur një sërë akuzash ndaj Gjokës edhe në konferencën e kësaj të Enjteje për mediat, duke e cilësuar “kriminele me uniform që zbaton urdhrat e Ramës dhe që ka shkruar Kushtetutën në tavolinën e saj.”

Kujtojmë se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv sa i takon aferës së privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”, ndërkohë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhet në burg./tvklan.al