Gjyqtari i gjykatës së Fierit Roland Hysi, i përfshirë në skandalin e denoncuar të martën në mbrëmje nga emisioni investigativ Stop në Televizionin Klan, teksa i merr 500 Euro ryshfet dhe i kërkon favore seksuale një gruaje të divorcuar për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës do të ndiqet penalisht.

Në këtë çështje është përfshirë edhe psikologia Elona Meçani, e cila shfaqet në video teksa luan rolin e sekseres. Ajo do të përballet me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike.

Kamera e fshehtë tregoi se nëna e divorcuar takohet në ambietet e një hoteli në Fier me gjyqtarin Hysi, atje ku jep edhe shumën prej 500 Euro për të marrë vendimin në favor të saj. Por gjyqtari Hysi nuk mjaftohet vetëm me paratë, pasi kërkon edhe favore seksuale prej saj.

Por pas hedhjes së shortit, çështja do të shqyrtohej nga gjyqtari Taulant Banushi dhe sërish psikologia Elona Meçani luajtin rolin e sekseres dhe denoncueses iu desh të paguante ryshfet edhe 500 Euro të tjera.

Pas këtij skandali, ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit që thotë se ky rast ka cënuar rëndë figurën e gjyqtarit.

“KLGJ nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse dhe shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për ngjarjen dhe për implikimin e mundshëm të gjyqtarit apo gjyqtarëve të përmendur në emisionin investigativ “STOP”.

KLGJ garanton se do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë për çdo rast korruptiv në gjykatat shqiptare.

Tv Klan