Nëse jeni nga ato njerëzit që adhuroni patatet e skuqura dhe dëshironi t’i konsumoni çdo ditë, atëherë kini kujdes! Konsumimi i shumtë i tyre mund të sjellë pasoja negative për shëndetin tuaj mendor. Këtë gjë e kanë konfirmuar së fundmi një grup shkencëtarësh në Hangzhou të Kinës.

Sipas hulumtimeve që ata kanë kryer, rezulton se konsumimi i shpeshtë i patateve të skuqura rrit ankthin me 12% dhe rrezikun e depresionit me 7% krahasuar me njerëzit që hanë shëndetshëm. Ky efekt prek më së shumti të rinjtë.

Më parë ne e dinim se patatet e skuqura ishin në listën e produkteve që çojnë në shfaqjen e obezitetit, tensionit të lartë apo problemeve të tjera shëndetësore. Por tashmë, lista është më e gjatë pasi preket dhe shëndeti mendor.

Studimi kinez mori në analizë plot 140 mijë njerëz për 11 vjet e 3 muaj dhe rezultatet ishin të rënda. Pati rreth 12 mijë raste depresioni tek ata që konsumonin shpesh patatet e skuqura.

Patatet rrisin sheqerin në gjak, gjë që ndikon tek hormonet, por sipas studiuesve në shumicën e rasteve shkaktari kryesor është yndyra. Në yndyrë gjendet akrilamidet të cilat janë tepër të dëmshme. E veç patateve, akrilamidet gjenden dhe tek kafeja apo tosti i përditshëm që ne konsumojmë.

Por nëse e shihni të pamundur të hiqni dorë nga patatet, atëherë provoni disa versione më të shëndetshme të konsumimit të tyre. Patatet e pjekura janë një ide e mirë. Mund t’i prisni në formën e njëjtë siç i skuqnit, dhe shtojuni disa erëza./tvklan.al