Partia Demokratike akuzoi Prokurorinë se është vënë në shërbim të kryeministrit Rama për të penguar hetimet për dosjen “Babele”.  Duke ju referuar përgjimeve zyrtare të publikuara nga selia blu, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, tha se dëshmitari i rremë Alfred Alizoti është paguar për të dëshmuar se ka bërë zërin e Agron Xhafës  për shpëtuar vëllain trafikant të ish-Ministrit të Brendshëm.

“4 prokurorë u përdorën politikisht për të shpëtuar nga dënimi trafikantin e drogës Agron Xhafaj dhe vëllain e tij ministër të Brendshëm.”

Sipas Partisë Demokratike organi i akuzës, në shkelje të ligjit nuk ka zbardhur të tjera përgjime ku sipas saj rezultojnë të implikuar figura të larta të Partisë Socialiste.

“Prokuroria duhet të merrte të pandehur Taulant Ballën, Fatmir Xhafajn, Ardi Veliun, Albert Nushin dhe një sërë strukturash policore që kanë shërbyer për manipulimin e ngjarjes me qëllim shpëtimin e pushtetit të Ramës dhe dënimin e opozitës që denoncoi aferën. Prokuroria, në shkelje të ligjit, nuk ka zbardhur disa përgjime, ku dëshmitari i sajuar flet për Taulant Ballën dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.”

Të shtunën selia blu publikoi një tjetër përgjim telefonik nga dosja “Babale”, ku dëgjohej Alfred Alizoti dhe Ish-Drejtori i Policisë së Fierit. Përmendja në telefonatë e emrit të Sekretarit të Përgjithshëm të Socialistëve, Taulant Balla, sipas Partisë Demokratike është provë e implikimit të strukturave shtetërore për të nxjerrë të pafajshëm vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe për të fshehur të vërtetën.

Tv Klan