PD i përgjigjet Presidentit Meta: Je në aleancë me Berishën për të shkatërruar Partinë Demokratike


PD i përgjigjet Presidentit Meta: Je në aleancë me Berishën për të shkatërruar Partinë Demokratike

16:40 14/01/2022

“Rol aktiv në sulmin nga selisë qëndrore”

Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratave të Presidentit Ilir Meta në lidhje me protestën e 8 Janarit në selinë blu.

Në një reagim për mediat, PD akuzon Presidentin Meta se në aleancë me Sali Berishën ka patur rol aktiv në sulmin ndaj selisë qëndrore.

“Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët.

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale. Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.

Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike. /tvklan.al








Të ngjashme