Reagon Alla: Video është montazh, nuk jam unë

Partia Demokratike deklaron se në këtë video që është publikuar në media, shfaqet duke konsumuar kokainë kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet se si kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, sipas mediave, i emëruar nga Rama është duke konsumuar kokainë. Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike”.

Por kryetari i Bashkisë së Bulqizës, pas publikimit të pamjeve filmike, reagoi duke mohuar se ishte ai personi që shfaqej aty. Ai tha se videoja ishte një montazh, i ngjashëm me atë të Babales dhe se gjithçka ishte një shantazh ndaj biznesit.

“Është për të ardhur keq kur një parti e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua! Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë. Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh. Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët”. 

Kryebashkiaku Alla paralajmëron kallëzim penal për ish-deputetin Ervin Salianji. Lefter Alla është zgjedhur si kryetar Bashkie nga radhët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 Qershorit të vitit të kaluar.

Tv Klan