PD: Në javën e parë të shkollës, 50 mësues të infektuar



PD: Në javën e parë të shkollës, 50 mësues të infektuar

13:22 19/09/2020

“Mungojnë termometrat dhe dezinfektantët”

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se nuk po teston mësuesit dhe edukatorët për Covid duke rrezikuar infektimin e personave të tjerë. Sipas selisë blu, në javën e parë të shkollës rezultojnë 50 mësues me covid.

“Java e parë e vitit të ri shkollor dëshmoi që qeveria ishte e papërgatitur për pritjen e nxënësve dhe të mësuesve në kushte pandemie. Qeveria nuk shtoi asnjë qindarkë për të rritur sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve. Vetëm nga të dhënat tona, në të gjithë vendin kanë rezultuar të infektuar që javën e parë më shumë se 50 mësues, edukatorë dhe sanitarë. Për mësuesit dhe edukatorët duhet pa vonesë testim masiv”, tha Vokshi.

Sipas ish-deputetes së Partisë Demokratike, në dy gjimnaze në Tiranë rezultojnë 8 mësues të infektuar me Covid-19. Ndryshe nga Kosova, deklaron PD, në Shqipëri nuk është certifikuar asnjë shkollë për sigurinë ndaj koronavirusit. Vokshi thotë se duhen Termometra,  dezinfektantët dhe  maska falas në shkolla.

Tv Klan




Të ngjashme