Pelegrinët myslimanë dynden në Mekë




Pelegrinët myslimanë dynden në Mekë

14:35 02/07/2022

Vetëm 1 milion njerëz mund t’i bashkohen haxhit këtë vit, sezoni u hap pas dy vitesh pandemi Covid-19

Mijëra pelegrinë kanë mbërritur në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite. Rreth një milion myslimanë pritet të marrin pjesë në sezonin e pelegrinazhit të haxhit 2022 pas dy vitesh ndërprerje të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Të mbështjellë me veshjen e bardhë, të pajisur me çadra kundër diellit, ​​qindra njerëz kryen ritualin e parë të haxhit, i cili përfshin ecjen në një rreth Qabes, ndërtesës së shenjtë në qendër të Xhamisë së Madhe të Mekës.

“Lavdëruar qoftë Zoti… Është e pamundur të përshkruash ndjenjat e mia”, tha Ahmed Sayed Mahmoud, një pelegrin egjiptian. 

“Të jem në Xhaminë e Madhe dhe në tokën e dy xhamive të shenjta më bën shumë të lumtur”.

 Vetëm disa mijëra qytetarë dhe banorë sauditë morën pjesë në pelegrinazhin vjetor në dy vitet e fundit pasi COVID-19 kufizoi udhëtimet.

Megjithatë autoritetet kanë thënë se vetëm një milion njerëz mund t’i bashkohen haxhit këtë vit, më pak se nivelet para pandemisë, dhe qasja është e kufizuar për pelegrinët e moshës 18 deri në 65 vjeç, të cilët janë vaksinuar plotësisht dhe nuk vuajnë nga sëmundje kronike.

Oficerë policie janë vendosur në të gjitha pikat e kontrollit që në hyrje të qytetit për të mos krijuar trazira mes pelegrinëve. Ndër vite, mbretëria ka shpenzuar miliarda Dollarë për të bërë më të sigurt një nga tubimet më të mëdha fetare në botë. Haxhi është një burim kryesor i të ardhurave për qeverinë nga akomodimi, transporti, tarifat etj.

Në vitin 2019, vitin e fundit para se të godiste pandemia, rreth 2.6 milionë njerëz e kryen haxhin, ndërsa rreth 19 milionë morën pjesë në umre, një formë tjetër pelegrinazhi në Mekë, e cila  ndryshe nga haxhi mund të kryhet në çdo kohë të vit.

Klan News










Të ngjashme