Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi është shprehur se deputetët e mazhorancës do të vijojnë të ndjekin normalisht jetën parlamentare. Në një prononcim për mediat, Peleshi ka thënë se shpreson që vendimmarrja e opozitës për “mosbindje” të mos përkthehet si bojkot i seancave plenare dhe komisioneve.

Niko Peleshi: Jemi para një seance parlamentare të ditës së sotme që nuk ka një ngarkesë të madhe. Grupi i PS do të vazhdojë të ndjekë me përgjegjshmëri të gjithë jetën parlamentare, seancat dhe komisionet. Seanca e sotme, e rëndësishme për komunitetet. Gjithë trupa e PS ka qenë në terren në shumë takime në të gjithë Shqipërinë. Sot ka kaluar raporti për pozicionin e Shqipërisë për në BE. Jeta parlamentare po vazhdon dhe komisionet. Është zgjedhja e opozitës nëse do të marrë pjesë apo jo. Nuk e kemi kuptuar mirë vendimmarrjen e opozitës, shpresoj të mos përkthehet si bojkot. Ne na qëndron mbi krye ligji, rregullorja, të cilat çdo shqiptar duhet t’i zbatojnë. Ne do të vazhdojmë mbledhjen sipas ligjit.

I pyetur në lidhje me mendimin e tij për arrestimin e Salianjit, Peleshi ka thënë se vendimi nuk është një gjë e re, por lënie në fuqi e Shkallës së Parë.

Niko Peleshi: Ne e kemi bërë për kulturë të mos komentojmë zhvillimet e organeve të drejtësisë. Nuk e kemi bërë sikur edhe ndonjë koleg i yni ka ndonjë çështje të hapur. Drejtësia të ketë punën e vet në mënyrë të pavarur. Vendimi nuk ishte një gjë e re, por lënie në fuqi e Shkallës së Parë.

Pyetje: Po personalisht, a keni një qëndrim përsa i përket dënimit të Salinjit, por si koleg?

Niko Peleshi: Padyshim që kam mendim personal, por nuk jam këtu për të folur personalisht. Në ndonjë nga banaqet tuaja, apo ku mund të më ftoni për të folur në mënyrë personale. Nuk thashë kazan që ndonjë rast edhe mund ta themi, por po flasim për banaqe normale të mediave. Nuk ju kam ofenduar.


/tvklan.al