Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar kryeparlamentaren Elisa Spiropali në lidhje me çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.

Sipas Bardhit, Spiropali ka hedhur në erë vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke shtuar se kjo ka sjellë edhe minimin e bashkëjetesës me opozitën.

“Zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyrë edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese.”

Bardhi ka shtuar se nuk ka ndodhur kurrë që Kuvendi të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese teksa ka thënë se kërkesa për këshillë në Komisionin e Venecias synon që të shpëtojë mandatin e Xhaçkës me procedurë.

“Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shumë mirë se ai nuk ka efekt detyrimor. Kjo sjellje e juaj rrëzon gjithë propagandën tuaj se gjasmë jeni konstruktiv dhe jeni të hapur. Kjo është propagandë pasi veprimet tuaja po na pamundësojnë detyrën. Nuk ka ndodhur kurrë që kuvendi të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ju kërkoi që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohë në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedurë. Këtu nuk ka të bëjë me Individin pasi për ne ikën një Xhaçkë dhe vjen një tjetër, këtu ka të bëjë me parimet kushtetuese.”

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi i është drejtuar Bardhit duke i thënë se i janë drejtuar Komisionit të Venecias pasi kanë nevojë për një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen në lidhje me mandatin e një deputeti.

“Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin; nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen. Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve.”


/tvklan.al