Mes dhimbjes dhe lotësh, ish-deputeti demokrat Gert Bogdani doli për herë të fundit nga Parlamenti.

Kolegë, miq, familjarë, por edhe personalitetet më të larta të vendit i dhanë lamtumirën politikanit që u nda nga jeta papritur pas një arresti kardiak

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali veç ngushëllimeve për familjen shprehën edhe vlerësimet për figurën e tij.

Bajram Begaj, President: Familja e madhe e tij politike humbi një njeri me vlera të jashtëzakonshme politike, morale. Ishte një njeri që pati një jetë të mbushur plot qoftë publike dhe qoftë politike. Ngushëllime familjes.

Bashkëpunëtorët e tij në Partinë demokratike, por edhe përfaqësues të mazhorancës e cilësuan atë një njeri model si në politikë dhe në familje.

Luçiano Boçi, nënkryetar i PD: Dhimbja jonë është shumë e madhe, ndoshta në ato raste që fjalët nuk e përcjellin. Shembull i të rinjve që duhet të ndërtojnë një karrierë politike të tillë të ndershme, të përkushtuar siç e kishte Gert Bogdani.

Niko Peleshi, kryetari i grupit parlamentar të PS-së: Një djalë të mirë, të shkëlqyer të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe qytetar shembullor. Përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur.

Liri Berisha: Ngushëllime të gjithë miqve dhe shokëve me të cilët ai bëri një rrugëtim kaq të shkurtër dhe të bukur. Ta kujtojmë gjithmonë me shumë dashuri dhe me shumë respekt.

E pranishme në homazhe ishte edhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama.

Gert Bogdani ka qenë deputet në vitet 2009-2017. Ai ndërroi jetë të mërkurën paradite, teksa ishte në një kafe me miqtë e tij. Gert Bogdani la pas dy fëmijë.

Klan News