Ndërtimi i korsive të dedikuara për autobusët ka nisur nga njësia nr. 7 në kryeqytet.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky projekt do të ndihmojë në qarkullimin më të mirë të autobusëve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

“Po e fillojmë nga Njësia 7, në segmentit nga ‘Zogu i Zi’ në drejtim të ’21 Dhjetorit’ dhe ‘Vasil Shantos’, ku do të kemi edhe korsi për biçikletat dhe monopatinat. E gjetëm Tiranën me 1% të qytetarëve që përdornin biçikleta, kurse sot jemi në 10%. Sa më shumë inkurajojmë këto korsi, aq më shumë ngarkesë heqim nga rruga”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, prioritet i kësaj ndërhyrje janë korsitë e dedikuara të autobusëve, ku do të aplikohet e njëjta eksperiencë e suksesshme, si në Rrugën e Durrësit apo Rr. “Dritan Hoxha”. Projekti i korsive të dedikuara dhe i rinovimit të shërbimit të autobusëve quhet “Urbani”

“Ne kemi parë disa eksperimente shumë të suksesshme te ‘Rruga e Durrësit’, te Rr. ’Dritan Hoxha’, ku korsia e autobusëve është ekspres dhe komode. Autobusi ngadalësohet kur futet në trafik me makinat e tjera, prandaj projektin pilot që kemi zbatuar te ‘Dritan Hoxha’ dhe ‘Rruga e Durrësit’, ta vazhdojmë edhe përgjatë ‘Unazës’”.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe te zgjidhja e problemit te vendi i njohur si nyja e “Kastriotëve”, për të cilën tha se do të ndërhyhet duke krijuar një rrethrrotullim, si nyje lidhëse e rëndësishme për qytetarët e Kodër-Kamzës, për të lehtësuar ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë.

Tv Klan