Klea Prenga, një blogere në rrjetet sociale ka denoncuar Antonela Berishën dhe motrën e saj, Marielën për sulm të rëndë fizik. 24-vjeçarja ka publikuar në rrjetet sociale fotografitë ku shfaqet e prerë në fytyrë dhe e mbuluar në gjak ku ka treguar edhe si ka rrjedhur ngjarja.

E reja shkruan se mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:30 po darkonte në një restorant në Tiranë kur dikush i është afruar papritur dhe e ka goditur me gotë në fytyrë. Siç shkruhet në një nga mesazhet që ajo ka përfshirë në postim, sulmi ka qenë i porositur nga motra e Antonelës, Mariela.

Sipas informacioneve të gazetarit Besar Bajraktaraj, Prenga ka qenë duke darkuar në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit kur dy motrat janë afruar dhe kanë nisur ta godasin me sende të forta në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të konsiderueshme.

Shkak i dhunës që motrat Antonela dhe Mariela Berisha ushtruan mbi blogeren Klea Prenga është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje paralele me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.

Para hetuesve, Klea Prenga nuk ka treguar asgjë mbi arsyet e dhunës, duke pretenduar se nuk ka dijeni pse motrat e kanë dhunuar. Agjentët e komisariatit nr. 1 kanë kryer disa kontrolle në kërkim të të dyjave, por deri tani nuk janë gjetur. Ato akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve A. B., 28 vjeçe, dhe M. B., 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal.

Këty dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., 24 vjeçe.

Materialet i kaluan Prokurorisë./tvklan.al