Është përkujtuar 17 vjetori i vdekjes së ish-presidentit Boris Trajkovski. Presidenti i vendit Stevo Pendarovski ka vendosur kurora mbi varrin e tij si dhe të delegacionit tetë anëtarësh që humbi jetën në fatkeësinë ajrore në afërsi të qytetit të Mostarit në Bosnjë e Hercegovinë. Klan Maqedonia risjell me disa shkurtime, një kronikë të kolegut Seladin Xhezairi të emetuar më 26 shkurt të vitit 2004, në Shërbimin Botëror të BBC-së.

Dyzetetetëvjeçari, Boris Trajkovski, pati një ngjitje dhe shkëlqim relativisht të shpejtë në skenën politike të Maqedonisë, por dhe atë ballkanike. U paraqit gjatë vitit 1999, pak para konfliktit në Kosovë dhe vala e refugjatëve shqiptarë në Maqedoni e gjeti atë në postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Njohja e anglishtes i ndihmoi që të jetë zyrtari më i kërkuar nga media elektronike dhe e shkruar perendimore. Kjo, si dhe biografia jo fort e pasur, bënë që VMRO-DPMNE ta nxjerrë atë si kandidat të sajin në zgjedhjet presidenciale të 99-tës.

Duket se maturia e tij ndaj vlerësimit të marrëdhënieve të tensionuara ndëretnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve, i ndihmoi që të marrë bekimin edhe të njërës prej partive kryesore të shqiptarëve – asaj Demokratike- të Arbën Xhaferit që ishte përfshirë në koalicionin qeverisës, së bashku me VMRO-DPMNE-në. Kjo mjaftoi që zoti Trajkovski të bëhet president i dytë në historinë e Maqedonisë, vendit që më 1992 shpalli pavarësinë nga ish- federata jugosllave.

Presidenti Trajkovski, që ndërroi jetë pak para përfundimit të mandatit katërvjeçar, sipas shumë diplomatëve perendimorë të akredituar në Shkup, e përballoi me zhdërvjelltësi edhe konfliktin e armatosur gjashtëmujor të vitit 2001 në Maqedoni midis forcave qeveritare dhe kryengritësve të atëhershëm shqiptarë. Në raport me kryeministrin e atëhershëm, Lubço Gerogievski, një nacionalist ky i spektrit të qendrës së djathtë, ai u pranua si bashkëbisedues i urtë i diplomatëve euro-amerikanë që nuk kanë kursyer rolin e tij në vendosjen e paqes në vend.

Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Havier Solanës dhe Xhorxh Robertsonit që atëbotë u angazhuan për t’i dhënë fund konfliktit dhe për këtë arsye erdhi në konflikt edhe me vetë Georgievskin dhe ish partinë e tij VMRO-DPMNE. Është ndër firmëtarët e Marrëveshjes së Ohrit dhe në cilësinë e shefit të shtetit dekretoi edhe Ligjin mbi themelimin e Universitetit shqip në Tetovë.

Ata që e njihnin së afërmi thonë se presidenti Trajkovski ishte edhe një fetar i mirë. Përkatësia e tij në sektin metodist ndërkaq ishte befasi për shumicën e bashkëkombësve të tij – pjesëtarë të komunitetit ortodoks.

Klan Macedonia