Ditën e premte, Vlora u përfshi nga reshje shiu me intensitet të lartë që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dherash. Në lidhje me situatën e krijuar në qytetin bregdetar, kryebashkiaku Ermal Dredha thotë për Klan News se janë duke evidentuar të gjitha problematikat si pasojë e përmbytjeve që të marrin masat e duhura për familjet e prekura.

Ermal Dredha: Tani jemi duke evidentuar të gjitha problematikat që vijnë si pasojë e post-reshjeve. Ka problematika. Të gjithë ekipet janë në terren. Ne kemi organizuar dhe ekipe të veçanta për të bërë dhe një llogaritje të saktë përsa i përket faturës financiare që do të ketë më vonë për të ju ardhur në ndihmë atyre që janë prekur. Brenda 4-5 ditësh do i kemi të gjitha në kohë reale me qëllim që të jenë të gjithë të informuar për të marrë masat.

Gjatë fjalës së tij, Dredha thotë se janë të paktën 63 banesa, 9 garazhe pallati dhe 4 shkolla të prekura nga përmbytjet.

Ermal Dredha: Ne deri dje kemi pasur gati 63 banesa, por që janë më shumë normalisht që janë prekur direkt. Ka edhe pallate që kanë garazhe të mbushura me ujë, kemi evidentuar 9 pallate. Kemi ngritur një grup pune që të vihet situata nën kontroll sa më parë të jetë e mundur. Shkollat mbeten prioritet, po pastrohen shumica që të ketë aktivitet normal. Edhe biblioteka e qytetit e prekur nga vërshimi i ujit, edhe aty kemi çuar një grup pune dhe më pas do të shikojmë dëmet. 4 shkolla janë më problematike dhe është drejt përfundimit pjesa e aksionit atje.

Por çfarë e ka shkaktuar situatën e përmbytjeve në Vlorë sipas Dredhës?

“30 vite është ndërtuar në mënyrë abuzive, ku të munden. Janë legalizuar dhe në vende që nuk duhet, mbi kolektorë, mbi kanale. Të ketë ekspertizë që të marrim masa se kush është për t’u ndëshkuar dhe a ka pasur faj në pjesën e organizimit të qytetit. Këtu e kam fjalën për kanalin e ujërave të larta sepse i gjithë vërshimi i ujit erdhi prej andej dhe patjetër që në gjithë atë zonë ka ndërtime mbi kanale. Gjithë kanali është i zënë dhe ndonjëherë ka edhe problematika sepse nuk mund të ndërhysh dot me mjetet e duhura për të bërë një pastrim siç duhet. Duhen marrë masa konkrete atje”, shprehet kryebashkiaku Dredha./tvklan.al