Është ndarë nga jeta legjenda e futbollit shqiptar, Sefedin Braho, në moshën 71-vjeçare. Kohët e fundit, ish-sulmuesi i Kombëtares vuante nga një sëmundje, e cila i ka marrë jetën mëngjesin e kësaj të diele.

Braho ishte një nga lojtarët më të spikatur të futbollit shqiptar në vitet 70-80, ndërsa thirrej nga të gjithë si “shigjeta”, për shkak të shpejtësisë së tij.

Ai numëron 9 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, ku ka shënuar një gol. Në kampionatin shqiptar, Braho ka qenë pjesë e Partizanit dhe skuadrës së vendlindjes, Luftëtarit të Gjirokastrës.

Për ndarjen nga jeta të Sefedin Brahos, ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili shkruan se legjenda gjirokastrite, ka shkruar emrin e tij në histori me gërma të arta.

“Me trishtim të madh mësova sot lajmin e ndarjes nga jeta të Sefedin Brahos, një emër i madh i futbollit shqiptar e veçanërisht atij gjirokastrit, pjesë e Luftëtarit, Partizanit si edhe i Kombëtares në periudhën 1970-1980.

Braho ishte një mik i mirë, personalitet me vlera të mëdha dhe një emër që ka shkruar historinë me germa të arta.

Dua t’u shpreh familjarëve, të afërmve dhe miqve të Brahos, ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe gjithë komunitetit të futbollit shqiptar. I paharruar qoftë Sefedin Braho!”, shkruan Duka.

/tvklan.al