33 milion persona janë prekur ndërsa fermerët kanë humbur çdo gjë, vendit i duhen vite të tëra për t’u rimëkëmbur

Përmbytjet kanë shkatërruar sektorin e rëndësishëm bujqësor të Pakistanit me muaj të tërë reshjesh. Të korrat  në provincën juglindore Sindh, e cila shihet si qendra kryesore bujqësore e vendit tanimë janë në rrezik.

Numri i të vdekurve nga periudha e zgjatur e reshjeve dhe përmbytjeve të shpejta që nga mesi i qershorit ka arritur në 1300, me mbi 12,500 viktima në total dhe më shumë se 33 milionë persona janë drejtpërdrejt.

Si provinca e dytë më e populluar e vendit, Sindh është shtëpia e rreth 48 milionë njerëzve dhe kontribuon me një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm bujqësor të vendit. Megjithatë, vetëm në korrik, zona u godit me mbi pesë herë më shumë shi se mesatarja 30-vjeçare, duke e gjunjëzuar sektorin e bujqësisë.

Shumë fshatarë të tronditur nga përmbytjet shkatrrimtare , të cilët mbështeten në rritjen e të korrave për të siguruar jetesën, thonë se kanë humbur pothuajse gjithçka.

“Kjo është shtëpia ime, binte shi për dy muaj, pastaj erdhën përmbytjet. Kam humbur shtëpinë time, fëmijët e mi janë pa strehë. Askush nuk ka ardhur të na ndihmojë. Dikur fitoja rreth dy dollarë në ditë, tani jo më. Pronarët e tokës erdhën një herë për të parë dëmin, na premtuan se do të na sjellin ushqime dhe çadra, por ka shumë ditë që nuk janë kthyer më”, është shprehur një fermer Sajan Ali .

Ndërsa kriza ka çuar në humbje të konsiderueshme, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare të ushqimit të Pakistanit, zyrtarët thonë se ata janë përpjekur për të ndihmuar vendasit të përballojnë vështirësitë aktuale dhe po kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga çdo rrugë në dispozicion. Sipas vlerësimeve të qeverisë, provinca Sindh ka pësuar dëme mbi 1.6 miliardë dollarë amerikanë me sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore të shkatërruara, ndërsa qindra mijëra fermerë kanë humbur punën dhe shtëpitë e tyre.

Meteorologët parashikojnë më shumë shi në ditët në vijim në zonën e liqenit Manchar dhe u kanë kërkuar banorëve të dy rretheve të provincës Sindh që të evakuohen. Liqeni Manchar është liqeni më i madh natyror me ujë të ëmbël në Pakistan dhe ndër më të mëdhenjtë në Azi. Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se do të duhen të paktën 10 miliardë Dollarë dhe shumë vite që vendi të rimëkëmbet nga fatkeqësia.

Klan News