Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, do të japë dorëheqjen në një kongres të jashtëzakonshëm të partisë së tij, që do të mbahet këtë muaj. Sipas medieve ndërkombëtare kongresi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim do të mbahet më 22 maj.

Spekulimet për dorëheqjen e tij janë përhapur pasi Davutoglu ka takuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën. Davutoglu, sipas BBC, nuk ka pranuar planet e Erdoganit për të çuar vendin drejt sistemit presidencial.

Ko lëvizje vjen në kohën kur vendi po përballet me situata të vështira, me një konflikt të përshkallëzuar me rebelët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, me sulme nga i ashtuquajturi Shtet Islamik dhe me fluks të emigrantëve dhe refugjatëve.

Turqia është po ashtu në mes të zbatimit të një marrëveshjeje të rëndësishme me Bashkimin Evropian, të ndërmjetësuar nga Davutoglu, për të kufizuar numrin e refugjatëve që kalojnë kufirin e saj, në këmbim të përafrimit të Ankarasë me BE-në dhe të ndihmës financiare. E ardhmja e kësaj marrëveshjeje mund të vihet në rrezik nga largimi i tij./

tvklan.al