Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në Shkodër, në atë që duket të ketë qenë një atentat i dështuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re. Të plagosurit janë Gj. Ndërshtiqaj, 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë, si dhe kunati i tij 30-vjeçar, Gjon Nika.

Paraprakisht, dyshohet se objektiv i këtij atentati ka qenë pikërisht ky i fundit. Në njoftimin e saj për mediat, Policia e Shkodrës thotë se autorët qëlluan në drejtim të Nikës dhe si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe kunati i tij 28-vjeçar.

Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës dhe burime bëjnë të ditur se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Ata mësohet se kanë marrë plagë në gjymtyrë.

Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gjon Nika, rreth 30 vjeç. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. Ndërshtiqaj., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit”, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për mediat.

Pak kohë pas ngjarjes, në afërsi të vendit ku ndodhi plagosja, policia gjeti një makinë në flakë e cila dyshohet se u përdor nga autorët e ngjarjes. Motivet e këtij atentati momentalisht nuk dihen.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast“, shtoi policia.

Ndërkohë, gazetarja Emi Kalaja, nga vendi i ngjarjes thotë se në flakë është gjetur edhe makina e Nikës e cila ishte e parkuar pranë lokalit. Po sipas gazetares, në drejtim të të plagosurve është qëlluar me kallashnikov. “Në zonën ku ndodhem ka shumë piketa të gëzhojave ndaj edhe të shtënat në drejtim të tyre kanë qenë disa”, raporton ajo.

Duke qenë se në këtë ngjarje është përfshirë edhe një student i Akademisë së Sigurisë, drejt Shkodrës është nisur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku. Ai u pa të futej në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës rreth orës 21:30, për të zhvilluar një takim me drejtuesit atje./tvklan.al