Afrim Hasalla, vëllai i 60-vjeçares Bajame Senej, e cila u plagos pasditen e sotme në fshatin Ballagat të Lushnjes, ka treguar detaje të tjera në lidhje me këtë ngjarje. Ai u shpreh se ata u zunë në pritë dhe për këtë akuzon një familje tjetër, atë të Shaip Hasallës.

Afrim Hasalla është vëllai i Kastriot Hasallës i cili akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla në vitin 2021. Romeo është djali i Shaip Hasallës.

Afrimi tregoi për kameran e Klan News se ngjarja ndodhi pasi po ktheheshin nga gjyqi ndaj Kastriotit, i cili ditën e sotme, sipas gazetares Anila Sefa u dënua me 35 vjet heqje lirie. Afrim Hasalla tregoi se në momentin e ngjarjes ka qenë duke lëvizur përpara me një furgon dhe bashkë me të ka qenë edhe avokati.

Ndërkohë Bajamja, po lëvizte mbrapa bashkë me djalin e saj, i cili ishte në drejtimin e një makine tjetër. Autorët kanë shtënë me armë në drejtim të tyre dhe në këtë moment, Afrimi tregon se nipi i tij ka lëvizur me shpejtësi dhe ka treguar se e kanë qëlluar me armë.

Nga ngjarja mbeti e plagosur në këmbë Bajamja. Afrim Hasalla tha se Kastrioti mbrojti vëllanë dhe fëmijën e tij në ngjarjen që ndodhi ku humbi jetën Romeo Hasalla. Për vdekjen e këtij të fundit bën fajtor babain e viktimës, Shaip Hasallën, për të cilin thotë se kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i armatosur me armë. Sherri mes dy familjeve ndodh për shkak të një sipërfaqe toke prej dy hektarësh.

Afrim Hasalla: Nuk i ka marrë asnjë masat. Shaip Hasalla me djemtë. Urdhëroni. Para dy vjetëve na kanë qëlluar me armë, sot qëlluan prapë me armë. Më kanë plagosur motrën.

Pyetje: Pse qëlluan sot?

Afrim Hasalla: Atë e di shteti që nuk kanë marrë masat. U kemi çuar fotot. Urdhëro.

Pyetje: Ishit në gjyq sot?

Afrim Hasalla: Po ishim në gjyq.

Pyetje: Për çfarë çështje?

Afrim Hasalla: Për këtë çështje. Për punë toke, Kastrioti isha dhe unë bashkë aty. Mbaruam gjyqin u nisëm për shtëpi, na bënë pritë me armë.

Pyetje: Sa vetë ishin?

Afrim Hasalla: Nuk i pamë. Isha bashkë me avokatin nga Tirana.

Pyetje: Për çfarë ishte bërë gjyqi sot?

Afrim Hasalla: Për këtë çështje që është këtu përpara.

Pyetje: Pas gjyqit ndodhi?

Afrim Hasalla: Po, pas gjyqit.

Pyetje: Sa veta ishit në makinë?

Afrim Hasalla: Unë isha me avokatin. Nipi mbrapa ishte me motrën.

Pyetje: Kush makinë u qëllua?

Afrim Hasalla: Nipi, mbrapa. Ishte me motrën, unë isha me furgon para. Dëgjuam të shtënat e armëve. I thashë avokat ore po më qëllojnë nipin më duket. Kthej kokën mbrapa, nipi me shpejtësi. Ul xhamin dhe më thotë po më qëllojnë.

Pyetje: Vazhdon të jetë sherri për tokën?

Afrim Hasalla: Për këtë çështje është, për tokën.

Pyetje: Sa sipërfaqe është?

Afrim Hasalla: 2 hektarë tokë që kam kaq vite me një stallë që kam bërë atje dhe sot ky zotëria do të vijë ta marrë me forcë.

Pyetje: Kush është dënuar për vrasjen e dy viteve më parë.

Afrim Hasalla: Kastrioti është. Por Kastrioti nuk e vrau. E vrau Shaipi djalin. Kastrioti mbrojti vëllanë dhe fëmijën e tij. Urdhëroni personin që na priti atje me armë. Këtu është Shaip Hasalla./tvklan.al