Ndërrimi i viteve do të jetë një gatishmëri e plotë për të gjitha forcat e policisë së kryeqytetit. Përgjatë sheshit Skënderbej do të jenë të instaluara jo vetëm forcat e Policisë së Rendit, por edhe ato të qarkullimit rrugorë. Pas vendimit të Bashkisë ës Tiranës, ku qarkullimi i automjeteve do të jetë i ndaluar në shesh, pritet që fluksi më i madh i makinave të jetë përgjatë unazës, dhe në rrugët dytësore.

Drejtori i qarkullimit të kryeqytetit, Luan Shehu në lidhje me masat që ka marrë inspektorati i qarkullimit rrugorë për të gjitha ditët e Vitit të Ri thotë: “Policia Rrugore e Tiranës në përbërje të policisë së drejtorisë së qarkut Tiranë, është e mobilizuar dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar dhe natën e Vitit të Ri. Siç e shikoni menaxhimi i trafikut me gjithë ngarkesën e jashtëzakonshme që ka Tirana, mund të them pa frikë që janë mbi 100 mijë mjete që qarkullojnë në Tiranë, sidomos në javën e fundit të vitit.

E rëndësishme është se nuk kemi pasur aksidente automobilistike. Kjo krahas shërbimit Policisë Rrugore, por drejtuesve të automjeteve karshi rregullit dhe detyrave që rrjedhin nga kodi. Natën e sotme sheshi Skënderbej do të bllokohet, me vazo lulesh në një hapësirë që është dhënë edhe në njoftim.

Në të njëjtën kohë janë edhe 50 forca që do të menaxhojnë trafikun në sheshin Skënderbej, menaxhim që ne e kemi bërë edhe vjet.”

Po në gatishmëri të plotë gjatë natës së sotme, por edhe në ditët në vazhdim do të jenë edhe forcat e zjarrfikësve. Përveç kontaktit të telefonit ku janë në shërbim të qytetarëve numrat 22 22 dhe 22 33 33, në shërbim do të jenë edhe 15 punonjës policie dhe 5 automjete.

Forcat e zjarrfikësve do të jenë të instaluara edhe në sheshin Skënderbej, për çdo rast të ndonjë urgjence gjatë hedhjes së fishekzjarrëve./tvklan.al