Lajme Arkiva 2003

Aksioni i policisë ndërtimore për të zbatuar vendimin e marrë nga Këshilli i Rregullim Territorit të Tiranës për të heqjen e të gjitha pikave të tregtimit të inerteve brenda vijës së verdhë ka përfshirë rreth 50 subjekte private.

Ndërhyrja e fadromave të ndërtimores për të rrëzuar ndërtimet e paligjshme të territoreve publike, ka nisur në rrugën e Kavajës pranë qytetit të nxënësve për të vijuar me unazën e re.

Drejtori i përgjithshëm i policisë ndërtimore Mark Nikolli u shpreh se vendimi i marrë nga Bashkia e Tiranës do të zbatohet brenda të gjitha parametrave ligjore.

Mark Nikolli: Dhe në këtë moment po realizojmë detyrën tonë ligjore që ka të bëjë me prishjen e asaj pjese që konsiderohet e paligjshme. Bëhet fjalë për lirimin e rreth 50 hapësirave dhe shesheve të cilat janë zënë arbitrarisht nga njerëz ë cilët tregtojnë në mënyrë të paligjshme materiale inerte për ndërtime.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama tha se për heqjen e këtyre bizneseve është rënë dakord edhe me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë që ato të zhvendosen jashtë hapësirave publike të kryeqytetit.

Edi Rama: Me gjithë kohën e lënë në dispozicion me kërkesë të Dhomës së Tregtisë u desh ndërhyrja ashtu si unë e thashë që ditën e parë që të fillojë lëvizja e këtyre pikave, unë mendoj që me mbylljen e këtyre pikave brenda qytetit merr fund një tjetër anomali. Krijohen premisa shumë më të mira për mbrojtjen e investimeve tona në rrugë dhe për mbrojtjen e mushkërive të fëmijëve dhe të më të moshuarve.

Subjekteve u është vendosur një afat nga policia ndërtimore dhe ajo bashkiake për zhvendosjen e vendit të tregtimit. Në rast të moszbatimit të të cilit do të aplikohen gjobat./tvklan.al