Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, janë publikuar emrat e 9 personave të arrestuar në këtë qytet në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për tërmetin e 26 Nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë.

Në mesin e tyre ka zyrtarë dhe ndërtues, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, vrasje me dashje, vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe falsifikim dokumentesh.

Të arrestuarit janë:

-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.

-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera    cilësuese”.

Dëfrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.

– Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshaur si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu, deklaroi gjithashtu se 8 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi ndodhen jashtë vendit. Ata janë larguar nga Shqipëria në momentin që ka rënë tërmeti. Megjithatë, Shehu sqaroi se nuk bëhet fjalë për dekonspirim të hetimeve. 

“Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti”, u shpreh drejtori i Policisë së Durrësit.

Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar deri më tani 17 urdhër-ndalime.

Njoftimi i Prokurorisë së Durrësit për hetimet:

Në mëngjesin e datës 29.11.2019 Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka regjistruar kryesisht procedimin penal Nr.2466, viti 2019, i cili  fillimisht bën fjalë për veprat penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës” të parashikuara nga nenet  199/a/3 dhe 248 i Kodit Penal.

Më konkretisht, në datë 26.11.2019, ora 03:54, në Durrës dhe rrethinat e tij,  ka rënë një tërmet me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter, i cili ka zgjatur rreth 30 sekonda. Si pasojë e këtij tërmeti janë dëmtuar një numër i konsiderueshëm banesash dhe objektesh të tjera, si dhe kanë gjetur vdekjen 23 persona në zonën e Durrësit.

Nga veprimet e para  hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave (objekteve) dhe pasojat në jetët e njerëzve  kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.

Po kështu ka dyshime se këto pasoja, kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudator të këtyre ndërtimeve, si dhe nga veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin dhe mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

Nga hetimet e kryera deri në këtë faze hetimore ka rezultuar se ndaj 18 personave të  urdhëruar për tu ndaluar ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se kanë konsumuar veprat penale  të“Vrasjes me dashje”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”,etj,  të parashikuara nga nenet 76,79/dh,248,186/3 të Kodit Penal.

a)Nga ana e ndërtuesve  formal dhe informal të këtyre objekteve ndërtimi, ka rezultuar se në kundërshtim me rregullat dhe normat në fushën e ndërtimit dhe konkretisht ku për shkak  të dëmtimit në strukturën e objekteve, ka sjell si pasojë vdekjen e disa personave të ndarë sipas objekteve përkatëse. Për këto veprime dyshohet se këta persona  kanë  kryer elementët e veprës penale“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni  79 germa “dh” të Kodit Penal.

b) Nga ana e funksionarëve publikë në zyrat e ALUIZNI-t, IMT, Shtëpisë së Pushimit, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjet përkatëse të fushës që ata mbulojnë duke  sjellë për rrjedhojë  kryerjen e veprimeve në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, per  regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve.

c) Nga ana e subjekteve projektues, mbikëqyrës punimesh, kolaudues  tek ndërtimet me leje janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fushën e ndërtimit por një pjesë prej tyre nuk jetojnë dhe është e pamundur ligjërisht për të  kryer hetime ndaj tyre.   

Nga ana e organit të prokurorisë po i kushtohet një kujdes i  vazhdueshëm ndjekjes së hetimeve lidhur edhe me objektet e dëmtuara në të cilat kanë ardhur pasoja të lehta  për shëndetin e qytetarëve, si dhe në objektet në të cilat janë shkaktuar dëmtime të rënda materiale. Siç jeni në dijeni drejtpërdrejtë nga tërmeti janë shkaktuar 23 viktima, kanë ndodhur  dëmtime të rënda të objekteve dhe banesave të një numri të madh qytetarësh dhe nga ana e Organit të Procedimit është ndërhyrë  që krahas sigurisë publike për shëndetin e njerëzve të sigurohen edhe provat e nevojshme në vijim të hetimeve që lidhen me  provat materiale të elasticitetit të materialeve të hekurit të përdorur, forcës se betonarmeve, si dhe cilësisë së materialeve të tjera të ndërtimit. /tvklan.al