Politika shqiptare në zi për humbjen e Bujar Nishanit (Të gjitha reagimet)




Politika shqiptare në zi për humbjen e Bujar Nishanit (Të gjitha reagimet)

16:49 28/05/2022

Politika shqiptare humbi këtë të shtunë një prej emrave më të shquar të saj. Bujar Nishani nuk jeton më.

Ai u shua në moshën 56-vjeçare në Gjermani, ku ndodhej në gjendje kritike për jetën prej disa javësh dhe mbahej në jetë me aparatura.

Ngushëllimet për humbjen e ish-Presidentit e kanë shprehur figurat më të rëndësishme të politikës, e jo vetëm.

Ndarja nga jeta e Bujar Nishanit, reagon Meta: Personalitet me vlera të rralla

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të Bujar Nishanit. Meta thotë se Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe! Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.

Berisha: Ish-Presidenti Nishani, ikonë e vlerave më të larta të njeriut! Ishte burrështetas i shquar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh ngushëllimi pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.

Mesazhi i plotë: Dielli perëndoi përgjithmonë për ish-presidentin Bujar Nishani!

Të dashur miq, sot ish-presidenti Bujar Nishani mbylli sytë përgjithmonë duke zhytur kështu në dhimbje, zi e pikëllim të thellë familjen e tij të dashur, miqtë e të afërmit, Partinë Demokratike dhe mbarë Shqipërinë.

Ish-presidenti Bujar Nishani, ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.

Ish-presidenti Bujar Nishani në këto 30 vite, si një shërbëtor i qytetarëve dhe vendit të tij përmbushi me nder detyra të rëndësishme nga drejtues drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes, ministër i Rendit Publik dhe deri në President i Republikës.

Bujar Nishani ishte gjithashtu një drejtues i shkëlqyer dhe efiçent e i dashur i Partisë Demokratike, deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për president të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie.

Personalisht unë kam patur tek Bujar Nishani njërin prej bashkëpunëtorëve më ta afërt, më të aftë, më të dashur dhe me çmuar, më të virtytshëm që do mbetet gjithmonë në memorien time si mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi patur si krenari e veçantë që pata një mik fisnik si ai.

Ndaj sot është ditë zie dhe dhimbje të thellë për familjen e nderuar Nishani që humbën bashkëshortin dhe prindin e tyre të mrekullueshëm e shembullor, për miqtë dhe të afërmit e tij që humbën një mik të dashur që do ju mungojë gjithmonë, për Partinë Demokratike që humbi njërin prej drejtuesve më të talentuar, për shtetin dhe kombin shqiptar që humbën sot shërbëtorin besnik dhe të përkushtuar, shtetarin e aftë e të ndershëm, patriot dhe fisnik.

Duke shprehur mirënjohjen time të pakufishme dhe nderimin time më të madh ish-presidentit Nishani për kontributin e çmuar për vendin, kombin dhe Partinë Demokratike, si dhe bashkëpunimin dhe miqësinë tonë të ngushtë që kemi patur ju shpreh sot ngushëllimet dhe solidaritetin më të ndjerë bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe miqve të ish-presidentit dhe mikut tim të çmuar për këtë humbje të madhe dhe të pakompensueshme, i lutem Zotit qe shpirti i mirë i Bujar tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin! sb

Vdekja e Bujar Nishanit, reagon Kryeministri Rama

Për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani reagoi edhe Kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri shkruan: “U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes.”

Bujar Nishani u shua në moshën 56-vjeçare në Gjermani, ku ndodhej në gjendje kritike për jetën prej disa javësh dhe mbahej në jetë me aparatura.

Ambasada e SHBA: Të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani

Ambasada e SHBA në vendin tonë, shpreh ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani.

“Jemi të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. I shprehim familjes së tij ngushëllimet tona të përzemërta. Kontributi i tij për Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër do të mbahen mend nga bashkatdhetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e shumtë”.

Delegacioni i BE reagon për vdekjen e Nishanit: Dha kontribut të rëndësishëm për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian

Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë, shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani. Në një reagim thuhet se Nishani dha kontribut të rëndësishëm për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian

“Me dhimbje të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Si Ministër i Drejtësisë, i Brendshëm dhe President, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ngushëllimet tona të përzemërta familjes, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në reagim.

OSBE: Të hidhëruar nga humbja e parakohshme e Presidentit Bujar Nishani

Prezenca e OSBE në vendin tonë shpreh ngushëllimet për humbjen e ish-Presidentit Bujar Nishani.

“Jemi të hidhëruar nga humbja e parakohshme e Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet tona të ndiera për familjen, të dashurit e tij dhe mbarë popullin shqiptar”, thuhet në një postim të OSBE në Twitter.

“Përkrahu Kosovën pareshtur”, Presidentja e Kosovës reagon për vdekjen e Bujar Nishanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së ish-Presidentit Bujar Nishani. Osmani ka theksuar se Nishani gjatë jetës së tij ka përkrahur Kosovën pa ndalur.

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet”, është shprehur Osmani, transmeton KlanKosova.tv.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve!. “Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”.

Kryeministri i Kosovës reagon për humbjen e ish-Presidentit Nishani

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të tij shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani. Kurti shkruan se gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike Nishani punoi për shtetin modern shqiptar. “Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo”, theksoi Kurti.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër. Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”.

Blendi Fevziu reagon për humbjen e Nishanit: U prehsh në paqe President

Blendi Fevziu shpreh ngushëllimet e tij për humbjen para kohe të ish-Presidentit Bujar Nishani. Në një reagim në rrjetet sociale, Fevziu mes të tjerash shkruan se Bujar Nishani ishte një shërbyes i përkushtuar publik i Shqipërisë dhe se modestia dhe mungesa e protagonizmit të tepruar qenë dimensionet më me vlerë të tij.

“Bujar Nishani, Presidenti i shtatë i Shqipërisë ndërroi jetë… Ai nuk i rezistoi dot pasojave postkovid që e morën në moshë ende shumë të re, pa mbushur ende 56 vjeç. Bujar Nishani ishte një shërbyes i përkushtuar publik i Shqipërisë. Ai mbajti disa nga detyrat më të rëndësishme të shtetit. Që nga Ministër i Brendshëm, Ministër Drejtësisë e deri në President i Republikës. Modestia dhe mungesa e protagonizmit te tepruar qenë dimensionet më me vlerë të tij. Ai diti të përmbushë çdo detyrë që iu caktua dhe nuk bërtiti kurrë që të tjerët ta shihnin punën e tij. Po kaq qetësisht iku nga kjo botë dhe nga ky vend që e deshi dhe iu përkushtua me devocion. U prehsh në paqe President”, shkruajti Fevziu.

Duka: Lamtumirë President Nishani!

Ngushëllime për humbjen e ish-Presidentit Bujar Nishani, shprehu edhe kreu i FSHF, Armand Duka.

“Të dashur miq, U trishtova shumë kur mësova pak minuta më parë se miku im, Presidenti Nishani, është ndarë nga jeta. Bujar Nishanin do ta kujtoj gjithmonë si një burrë të urtë e të mençur, një dashamirës futbolli dhe tifoz i madh i Kombëtares.

Nuk mund t’i harroj momentet e bukura që kaluam së bashku në EURO 2016 ku nuk mungoi asnjë moment në mbështetje të kuqezinjve. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Presidentit Nishani dhe miqve të tij të shumtë. Lamtumirë President Nishani!”, shkruajti Duka.

Mediu: Humbja e parakohshme e Nishanit, dhimbje e madhe për të gjithë ne

Edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, shprehu ngushëllimet për humbjen e Bujar Nishanit. Në reagimin e tij, Mediu tha se Shqipëria humbi njeriun e drejtë dhe korrekt, kundërshtarët e tij politikë humbën politikanin parimor dhe të vendosur, ndërsa familja humbi mikun dhe njeriun më të dashur.

“Humbja e parakohshme e Presidentit Bujar Nishani është një dhimbje e madhe për të gjithë Ne, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Shqipëria humbi njeriun e drejt dhe korrekt i cili çdoherë vendosi përpara detyrën, nderin dhe atdheun, që në moshë të re dhe deri në momentet e fundit të jetës së tij. Edhe kundërshtarët e tij politik kanë humbur politikanin parimor dhe të vendosur i cili nuk bënte kompromis me të keqen, por i qëndroj besnik bindjeve të tij politike dhe interesit kombëtar.

Odeta humbi bashkëshortin e saj , djali dhe vajza babin e tyre të dashur, humbën mikun dhe njeriun më të dashur, të gjithë sot familjarisht i bashkohemi dhimbjes së tyre duke ju lutur Zotit ti jap forcë për të kapërcyer këtë moment të vështirë. I nderuar President Nishani mik i dashur u prehsh në paqe, qofsh i xhenetit”, shkruajti Mediu.

Basha: PD ka humbur një politikan të përkushtuar

Pas ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani ka reaguar edhe ish-kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai thotë se PD-ja ka humbur një politikan të përkushtuar.

“Trishtues lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të tij. Sot Partia Demokratike ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Edi Paloka: Lajm i hidhur, fatkeqësi për familjen dhe të gjithë demokratët

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale pas ndarjes nga jeta të Nishanit.

“Një lajm i hidhur ka pak që u konfirmua; Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD në vite, ka ndërruar jetë! Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët. Respekti ynë për gjithçka dha për PD dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë”, shkruan Paloka.

Nikolla: Nishani i shërbeu vendit me përkushtim

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur! U prehsh ne paqe President Nishani!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Alibeaj: Shqipëria humbi një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë

Shqipëria humbi para kohe një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë, kështu shprehet në reagimin e tij Enkelejd Alibeaj për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.

“Lajm i trishtë, për familjen, miqtë dhe kolegët, ai i ndarjes së parakohshme nga jeta e Presidentit Nishani! Kontributet e tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në çdo detyrë publike që iu besua e ku shërbeu me dinjitet, si deputet, ministër dhe President. Shqipëria humbi para kohe një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë! I qoftë dheu i lehtë e zoti iu dhëntë forcë bashkëshortes, fëmijëve e të afërmve! Iu prehtë shpirti në parajsë!”

Gjiknuri mesazh për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Nishani: Personalitet që përcolli vlerat më të mira njerëzore

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Në mesazhin e tij, Gjiknuri thekson se përtej bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike, ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë.

Një lajm i dhimbshëm ndarja nga jeta e Presidentit Bujar Nishani! Përtej bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike, ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë! Gjej rastin tu shpreh familjarëve dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan Gjiknuri.

Ndarja nga jeta e ish-Presidentit Nishani, Veliaj: Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani. Ai u ka shprehur ngushëllime familjes, për këtë ngjarje tragjike.

“Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur”, shkruaj Veliaj në rrjetet sociale.

Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare. Prej më shumë se një muaji, ish-Presidenti ishte transferuar nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.

Guvernatori Sejko, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Nishanit

Ngushëllime për vdekjen e Bujar Nishanit shprehu edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

“Me hidhërim të thellë mësova sot për largimin e parakohshëm nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, bashkëpunëtorët, kolegët dhe miqtë! Vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare, të cilave ai u shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash. Prehu në paqe President Bujar Nishani!”, shkruajti Sejko.

*Ish-Presidenti Bujar Nishani vuante nga pneumonia bilaterale, ndërsa pas prekjes nga Covid-19, shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm. Fillimisht u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe më pas me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore u dërgua për mjekim më të specializuar në një spital në Berlin. Burime nga spitali thonë se prej disa ditësh ai po mbahej në jetë me anë të aparaturave, por mesditën e kësaj të shtune, mjekët, me konsensusin e familjes, kanë marrë vendimin t’ia shkëpusin aparaturat./tvklan.al










Të ngjashme