Portugalia u shpall kampione e Europës, duke kaluar çdo parashikim të mundshëm.

Një arritje e madhe në fushën e Francës organizatore, që e mundi me rezultatin 1 – 0, me një gol në pjesën e dytë shtesë. Suksesi i portugezëve u arrit me një lojë të kujdesshme në mbrojtje dhe me përpjekje të pakëta në sulm.

Franca e nisi lojën me një ritëm të lartë, duke kërkuar golin që në fillim. Grizemann e Sissoko ishin një rrezik i vazhdueshëm për portën e Rui Patricio, i cili u shfaq shpëtimtar në disa raste.

Dëmtimi i Cristiano Ronaldo, që në minutat e para, e shtrëngoi kapitenin e portugezëve të largohej mes lotëve me barrelë, në mesin e pjesës së parë. Një goditje e rëndë për të dhe Portugalinë.

Pjesa e dytë ishte e njëjtë, me Francën në sulm dhe Portugalinë që nuk arriti të organizohej në aksionet e saj.

Goditjet e lojtarëve francezë u ndalën nga Rui Patricio.

Koha e rregullt e një finaleje të një Europiani u mbyll për herë të parë pa gola. Goditja e parë e rrezikshme e portugezëve ishte ajo e Quaresma në minutën e 80’.

Në pjesët shtesë, portugezët u treguan më konkretë, duke goditur portën e Lloris.

Goli i zëvendësuesit Eder i dha Portugalisë trofeun, që nuk mundi ta bënte të sajën në 2004, në Lisbonë.

Tv Klan