Presidenca (1)Ka mjaftuar fjalimi i deputetit socialist të Librazhdit, Taulant Balla në sallën e parlamentit mbrëmjen e së enjtes, i cili e ka etiketuar presidentin e Republikes z.Bujar Nishani si një ushtar të Partisë Demokratike, që mes institucionit të kreut të shtetit dhe mazhorancës poltike në vend, të ngrihen temperaturat e marrëdhënieve mes palëve.

Nuk ka vonuar reagimi i presidentit Nishani, i cili nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të Presidencës, i ka denoncuar sulmet poltike dhe fyerjet vulgare të deputetit Balla, si të orkestruara direkt nga kryeministri i vendit.

Florian Nuri – Sekretar i Përgjithshëm i PresidencësPrej gati dy vitesh, Presidenti i Republikës gjendet nën një fushatë fyerjesh, shpifjesh, kërcënimesh dhe shantazhi të pandërprerë, të organizuara dhe urdhëruara nga kryetari i qeverisë. Kjo praktikë jakobine, e padëgjuar kurrë më parë në këtë vend, ku dhuna e pushtetit fyen, kërcënon, shantazhon familjen, fëmijët dhe jetën e Presidentit të Republikës është e paimagjinueshme në një vend normal.”

Sipas institucionit të presidencës këto sulme në seri ndaj Presidentit të Republikës e kanë një autor dhe një shkak.

Florian Nuri – Sekretar i Përgjithshëm i PresidencësKryeministri, nuk po mundet të marrë nën kontroll Institucionin e Presidentit të Republikës. Shpifjet e ulëta dhe denigruese të urdhëruara nga Kryeministri  i vendit sot në aulën e Parlamentit si një hakmarrje ndaj qëndrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe dinjitetit të shtetit të shqiptarëve nuk do munden dot të nëpërkëmbin dhe asgjësojnë Institucionin e Kreut të Shtetit. Dhuna nuk do triumfojë kurrë mbi dinjitetin e shtetit.  Autoritarizmi nuk do ta mundë dot lirinë dhe demokracinë të cilat shqiptarët i kanë fituar pas vuajtjesh dhe sakrificash të mëdha.”

Presidenti i Republikës do vijojë të kërkojë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të Institucionit, pavarësisht sjelljeve të tilla që nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën, shtetin, kulturën, qytetarinë apo rrugën europiane ku shqiptarët duan të ecin, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës në daljen e tij publike.

Mes Presidentit të Republikës dhe mazhorances politike ka patur vazhdimisht përplasje, në lidhje me ligje të pakonsultuara dhe të kthyra mbrapsht nga Presidenti dhe shpesh edhe nga gjykata kushtetuese, cënime kompetencash nga qeveria ndaj Presidentit, dhe së fundmi ka patur një përplasje të fortë në lidhje me emërimin e disa ambasadorëve, ku Presidenti i Republikës deklaroi edhe publikisht se nuk do të dekretojë  asnjë kandidat për ambasador nëse më parë  nuk kryhet procesi i konsultimit mes Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës, për emrat e kandidatëve.

Tv Klan