Kryeministri Rama: Janë shtuar dhe 8 satelitë të tjerë

Pas 7 muajsh nga lëshimi në hapësirë, satelitët “Albania 1 dhe 2”, kanë sjellë imazhet e para nga territori i Shqipërisë, duke ofruar për institucionet të dhëna me rëndësi për zjarret si në rastin e ishullit të Sazanit, apo përmbytjet në Shkodër.

Gjatë prezantimit të rezultateve, kryeministri Edi Rama tha se ky monitorim e bën të pamundur korrupsionin në shumë dikasterë.

“Ajo hartë e bën të pamundur abuzimin me metrat katrorë të përmbytura, e bën të pamundur që një përmbytje prej 3 km2 të kthehet në 15 km2 duke shtuar viktima të ujit dhe prona të dëmtuar për të rritur faturën në kurriz të shtetit.”

“Albania 1 dhe Albania 2” nuk do të jenë satelitët e vetëm që do të ofrojnë imazhe për Shqipërinë pasi kompania e shërbimit ka ofruar dhe 8 të tjerë.

“Përveç dy satelitëve u shtuan dhe 8 të tjerë nga kompania pa asnjë pagesë ekstra për të na furnizuar me më shumë imazhe.”

Kryeministri u bëri thirrje të rinjëve që punojnë në shërbime dixhitale të punojnë për shtetin shqiptar, teksa u garantoi paga konkuruese me sektorin privat dhe rajonin.

“Kanë mundësinë dhe duke aplikuar të bëhen pjesë e skuadrës dhe patjetër të paguhen më mirë se në çdo kompani private, sipas pozicionit të punës kuptohet.”

Sipas zv kryeministres Belinda Balluku, Shqipëria ka arritur të monitorojë përmes dy satelitëve të hedhur në hapësirë, 47 % të territorit, ose një sipërfaqe prej 13 416 km.

Klan News