Dy satelitë në hapësirë do të monitorojnë të gjithë territorin e Shqipërisë. Marrëveshja është firmosur sot në Kryeministri ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Saterllogic USA Inc”.

Kryeministri i vendit Edi Rama ka qenë i pranishëm në prezantimin e planit të shërbimit satelitor. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është shprehur se tanimë do të kemi “një kryeinspektoriat në qiell, i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha”.

Rama ka shtuar se satelitët do të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës në një saktësi me perimetër prej 70 cm. Në këtë mënyrë, theksoi Rama nuk do të ketë më mundësi që të ndërtohen kate pa leje pasi satelitët do të shohin çdo gjë.

Edi Rama: Qeveria ka marrë një vendim ekstrem që ka rrjedhur si rezultat i dinamikës së një lufte që unë e kam vazhduar kur ka hyrë në politikë, kundër abuzimeve pa leje.  Në këtë rrugë ku kemi ngecur disa herë në dyert e gjykatave të cilat mbajnë peng procese penale për ndërtues të caktuar dhe nuk lejojnë organet përkatëse që të bëjë shembjet e caktuara, gjë që na ka detyruar që të mësojmë se si mund të ia dalim. Me ketë vendim, ne i kemi vënë me shpatulla pas murit të gjithë. Zgjidhja që vjen nga kjo kontratë e sotme, e cila i jep përgjigje përfundimtare pyetjes “po si nuk i pa?”. Nuk ësht detyra ime të shoh kate, edhe pse të gjithë jemi mësuar që t’i ndjekim këto procese, është e pamundur që ne ketë avancojmë, nëse mbetemi pre e boshllëqeve të një procesi.

Për të gjithë ata që na kanë përqeshur për satelitët, sot lajmi është se do të kemi një kryeinspektoriat në qiell, i cili që nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka parti, i cili ka një sy që i sheh të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë më mundësi që të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës, me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 cm.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi se këto satelitë do të ndihmojnë në mirëfunksionimin e shumë fushave të tjera në vend, pasi do të jenë më të lehta për t’u monitoruar.

Edi Rama: Me satelitët, ne do të kemi mundësi të shohim gjithçka ndodh në shumë nga fushat, do të kemi mundësi të monitorojmë të gjitha të mbjellat dhe do të jetë shumë më e lehtë dhe për Ministrinë e Bujqësisë.

Do krijojmë një bazë të dhënash të rëndësishme që na japin mundësi për të bërë shumë analiza dhe në funksion të programimit për të nesërmen për të parë sasinë reale të të mbjellave dhe për të bërë edhe konkluzione më të shpejta.

E njëjta gjë për plazhet, për pyjet, për lumenjtë. Gjithë ndërhyrjet pa leje apo prerjet e pyjeve apo gërryerjet e shtetërve të lumenjve, apo zjarret do t’i kemi në një pasqyrë të vënë përpara nesh në mënyrë të përditësuar nga inspektoriati i lartë. Do të ketë shumë sy mbi territorin dhe do të jetë e pamundur që sytë e inspektorit të zonës t’i shesin shtetit një realitet të paqenë duke bërë letra false në këmbim të ryshfetit.

Nuk do ndodhi më që të kemi falsitete në procesin e legalizmeve që për ndërtesa që s’janë fare aty bëhej legalizim, siç na ka ndodhur që kemi legalizuar ajrin faktikisht për ndërtesa që nuk janë fare aty./tvklan.al