Gjatë një takimi me gjimnazistë për të diskutuar rreth strategjisë së re kombëtare për Rininë, kryeministri Edi Rama tha se prioritet në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë investimi në laboratorët e informatikës.

“Jemi duke punuar që të bëjmë gati për vitin e ardhëm shkollor, një sistem tjetër mësimi të informatikës, duke ju vënë në dispozicion mësuesit më të mirë. Do të ndryshojmë kurrikulën e informatikës, për të cilën kemi nisur punën”.

Dhe për të treguar rëndësinë e teknologjisë së informacionit në kohën që jetojmë, Rama mori shembullin e një gjimnazisteje nga Durrësi.

“Jeton ne Durrës, prej 2 vitesh punon në Poloni pa lëvizur nga shtëpia, dhe të jeni të bindur se paguhet më mirë se mësuesit që ka në shkollë”.

Rama tha se një fond i veçantë është përcaktuar për klubet vullnetare që ngrihen në shkolla, të cilat duhet të aplikojnë përmes projekteve.

“Nëse ka grupe në shkolla për zeje për pikturë, me këtë fond këto klube do të marrin mbështetje, nëse bëjnë një projekt të besueshëm”.

Një tjetër prioritet sipas kryeministrit do të jetë investimi në palestrat e shkollave.

Tv Klan