Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë kanë proceduar penalisht shtetasit 6 persona, për grumbullime të paligjshme në kundërshtim me masat e nxjerra nga organet shtetërore në gjendjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Mes të proceduarve është edhe kryetari i Partisë Demokratike në Divjakë Julian Gjini, si dhe ish-deputeti i PD Ervin Salianji, dhe M. S., 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike.

Po ashtu janë proceduar edhe 2 shitës dhe 1 fermer, po nga Divjaka.

Policia njofton se ditën e djeshme, Salianji, Gjini dhe 32-vjeçari, në rolin e organizatorëve, kanë shkuar pranë pikës së grumbullimit të perimeve në fshatin Mizë, Divjakë dhe kanë grumbulluar fermerë dhe banorë të zonës, duke mos zbatuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 i ndryshuar, si dhe ndryshimet e Kodit Penal të nxjerra nga organet shtetërore në gjëndjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, të cilët po hetohen në gjendje të lirë. /tvklan.al