Seanca për caktim të masës së sigurimit nesër në orën 10:30

Ish-shefja e kabinetit të ish-zëvëndëskryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi do të përballet me gjykatën të martën. Ajo u vendos në pranga dy ditë më parë pas deklarimeve të pastrueses Rozeta Dobi, se shuma e mbi gjysëm milioni euro ishte marrë në banesën e Klosit dhe se kjo e fundit ja kishte dhënë për t’i ruajtur. 

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që për Klosin të caktohet masa e sigurimit “arrest në burg”. Alda Klosi vetëm disa orë pai u prangos ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është dërguar me urgjencë në QSUT, ku po merr ndihmën mjekësore.

Duke qenë se ajo është në spital, seanca do të zhvillohet aty. Alda Klosi deri më tani nuk ka dhënë deklarime para hetuesve përveç atyre që ka sqaruar në Dhjetor kur ka bërë kallëzimin dhe më pas kur është bërë arrestimi i pastrueses.

Ndërkohë gjatë të hënës do të ripyetet edhe njëherë sanitarja Rozeta Dobi në mënyrë që të saktësohen disa detaje që kanë të bëjnë me hetimet pasi ka disa pasaktësi dhe kontradita në deklarimet që ka dhënë pastruesja që nga dita kur është arrestuar deri më tani. 

Dobi është shprehur se paratë ia ka dhënë ish-zyrtarja në mirëbesim për t’ia ruajtur, dhe i ka kërkuar të inskenonte grabitjen me qëllim për të fajësuar ish-bashkëshortin e Klosit. Dobi ka deklaruar se paratë vinin që nga viti 2021, por që nuk kishte dijeni kush i sillte por vinin në çantë. Alda Klosi është përpjekur disa herë që të justifikojë paratë dhe pasuritë e saj, por nuk i ka bindur ende hetuesit.

Klan News