Mosmarrëveshjet e mëhershme mes dy grupeve të armatosura ishin shkaku i përleshjes së armatosur në Prishtinë, mbrëmjen e 1 shtatorit, që la të vrarë një person, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në rrugën “Gazmend Zajmi” dhe gjatë të shtënave u plagosën edhe pesë persona.

Prokuroria Themelore tha se pesë të dyshuarit, të cilët kanë marrë lëndime trupore, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim dhe “për momentin janë jashtë rrezikut për jetën”.

Autoritetet gjyqësore e kanë klasifikuar këtë rast si vepër penale “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore tha po ashtu se përveç pesë të plagosurve, autoritetet po punojnë në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në të shtënat në Prishtinë./REL