Edhe në mandatin e saj të dytë, presidentja e Komisionit Europian do t’i kushtojë një vëmendje të posaçme integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Vendimi i saj i parë, menjëherë pas rikonfirmimit, do të jetë emërimi i një komisioneri që do t’i dedikohet vetëm çështjes së zgjerimit, ndërkohë që më parë puna e këtij posti lidhej dhe me çështjet e fqinjësisë së mirë.

“Unë dua që puna jonë të përshpejtohet edhe më tepër. Në këtë mandat dua që zgjerimi të jetë një punë me kohë të plotë, që mundëson dhënien e një vëmendje të pashkëputur, ndaj do të emëroj një komisioner të dedikuar. Vullneti ynë politik është për të integruar sa më shpejt këtë rajon”.

Deklaratat e presidentes Von der Leyen në samitin e Bled-it, ku foli për planin e rritjes dhe ecurinë e 6 vende të Ballkanit Perëndimor, e përshëndeti kryeministri Edi Rama, i cili ishte pjesë e një paneli së bashku me homologët sllovenë, kroatë e serbë. Rama foli për angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur reformat, që më pas të përfitohet nga ky plan i rritjes prej 6 miliardë eurosh, për rajonin tonë.

“Na duhet të kryejmë të gjithë punën neurotike për t’u konsideruar të gatshëm për të hyrë në Bashkimin Europian, duhet të marrim më shumë instrumente e të hyjmë në hapësira të ndryshme të Bashkimit Europian që përpara këtij Plani të Ri Rritjeje ishte diçka e palejuar për ne. Është një moment ku ndihem, pra të ndihesh pozitiv”, tha Rama.

Von der Leyen preku në fjalën e saj dhe për përpjekjet e Rusisë për të trazuar ujërat në rajonin e Ballkanit sa herë që sheh që ka progres të tyre drejt integrimit europian. Ndërsa kryeministri Rama ripërsëriti si në samitin e Pragës se ndikimi rus, iranian dhe ai kinez, më së shumti po depërton përmes teknologjisë, apo aplikacioneve aq shumë të përdoruara nga të rinjtë, siç është TikTok-u.

“Kur e sheh sesi po depërtojnë kudo rusët përmes mjeteve që ua sigurojmë apo që ua japim falas, duke shkatërruar çdo ditë fëmijët tanë, duke shkatërruar çdo ditë ndjenjën e komunitetit, ndjesinë e komunikimit, ndjenjën e vet demokracisë dhe po flas për median sociale këtu, nuk e kuptoj më se çfarë duhet të ndodhë për të kuptuar që media sociale në mënyrën sesi po e trajtojmë dhe po merremi me të, është aseti më i madh që rusët, iranianët a kushdo tjetër kanë”.

I vendosur përballë pyetjeve ngacmuese të gazetarit të njohur Ali Aslan, kryeministri serb Vuçeviç u duk i detyruar të pranojë se alternativa e parë e Serbisë është integrimi drejt BE, ndërsa nuk mohoi miqësinë e ngushtë dhe të rëndësishme për Beogradin me Rusinë, sikurse tha që e tillë është miqësia me Ukrainën sa kohë ai vend nuk e ka njohur ende Kosovën.

Tv Klan