Hapja e Urës së Ibrit pa një konsultim paraprak me aleatët, rrezikon jo vetëm raportet me ndërkombëtarët, por edhe ta kthejë situatën 15 vjet mbrapa.

Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë, të cilët theksojnë se hapja e urës pa pëlqimin e partnerëve ndërkombëtar është një aventurë e rrezikshme.

“Patjetër duhet të ketë dakordim me SHBA-në dhe NATO-n, sepse në të kundërtën është kundër efekt hapja e Urës së Ibrit një anshëm. Nuk ka rrezik fare por ka hapa mbrapa sepse KFOR-i shumë lehtë, brenda një kohe shumë të shkurtër një orë apo dy, mund ta barrikadojë, përkatësisht mund ta bllokojë urën me autoblinda ose tela gjemborë dhe çdo gjë kthehet 15 vjet mbrapa”, tha Fatmir Çollaku, analist.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thekson se situata mund të shfrytëzohet nga faktor të tjerë që mund të nxisin trazira në gjithë rajonin.

“Lidershipi jonë duhet të zbatojë këto sugjerime apo udhëzime të partnerëve tonë ngase vendimet e një anshme mund të sjellin situatën, për shkak të tensioneve rajonale që mjafton diku të shkrepë dhe ajo në  formë zingjirore të përhapet edhe mundësia e konfliktit”, tha Ibshi.

Krahas debatit për hapjen e urës së Ibrit një tjetër çështje që ka tensionuar sërish situatën në Kosovë është operacioni për të mbyllur institucionet paralele në veri.

Tv Klan