Kryeministri mbledh qeverinë e re, urdhra dhe porosi për ministrat

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri janë betuar sot në orën 10:00 te Presidenti Meta dhe tashmë qeveria e re ka nisur punën zyrtarisht.

Edhe pse ishte parashikuar që Kryeministri dhe ministrat do të përshkonin rrugën në këmbë, Edi Rama ka zgjedhur që të shkojë me makinë, ndërsa ministrat janë futur nga hyrja e pasme larg vëmendjes së mediave.

Por pas ceremonisë së betimit rrugën në kthim drejt kryeministrisë e kanë zhvilluar në këmbë. Ceremonia e betimit nuk u transmetua ‘live’, por pamjet e saj u publikuan nga Presidenca pak minuta më vonë.

Pas betimit, Rama ka zhvilluar dhe një mbledhje me ministrat dhe u ka kërkuar që të zbatojnë Kodin e Etikës dhe u ka dhënë disa porosi.

Qeveria e re përbëhet nga 12 gra e 5 burra bashkë me kryeministrin. Rama dhe ministrat e tij u betuan tek Presidenti, për të cilin kanë votuar për shkarkim dhe pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për fjalën e fundit.

Qeveria “Rama 3” u miratua në parlament në orët e para të së premtes me 77 vota pro.

Përbërja e kabintetit qeveritar “Rama 3”

  1. Edi Rama- Kryeministër
  2. Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër për Rindërtimin
  3. Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
  4. Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes
  5. Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm
  6. Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë
  7. Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
  8. Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit
  9. Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë
  10. Elva Margariti – Ministër i Kulturës
  11. Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
  12. Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
  13. Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit
  14. Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
  15. Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
  16. Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
  17. Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve

Rama shkon me makinë drejt Presidencës, do të betohet para Metës

Kryeministri Edi Rama edhe pse kishte premtuar se do të shkonte në këmbë tek Presidenti Ilir Meta për ceremoninë e betimit ka shkuar me makinë.

Eskorta e Kryeministrit ka udhëtuar nga Kryeministria drejt Presidencës dhe pritet që të nisë dhe ceremonia e betimit.

Ndërkohë ministrat ende nuk kanë dalë nga Kryeministria për t’u bashkuar me shefin e qeverisë për ceremoninë e betimit.

Zhvillohet ceremonia e betimit tek Meta, Rama dhe ministrat shkojnë në këmbë drejt kryeministrisë

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat janë betuar para presidentit Ilir Meta. Pas betimit Rama dhe të gjithë ministrat kanë dalë nga institucioni i Presidentit dhe janë drejtuar në këmbë drejt  Kryeministrisë.

Siç shihet dhe nga pamjet e Klan News, Rama dhe ministrat kanë përshkuar në këmbë rrugën mes dy institucioneve.

Ndërkohë ceremonia e betimit ende nuk është bërë publike.

Rama urdhër ministrave: Kush shkel Kodin e Etikës duhet të lirojë vendin

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e parë të qeverisë ka preferuar që të flasë për Kodin e Etikës në Kryeministri. Rama ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e kabinetit që të respektojnë Kodin e Etikës, duke filluar nga udhëtimet jashtë shtetit dhe për pushimet.

Po ashtu u ka kërkuar që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drekojnë në orarin e punës. Penalizimet për ata që shkelin rregullat, do të jenë të rënda pasi në rast përsëritje mund të shkarkohen nga detyra.

Të gjithë qytetarë ta dinë, qeveria ka një Kod Etik që është një mënyrë jetese për ministrat për respektin ndaj qytetarëve

Në rast se një ministër e thyen këtë rregull duhet që të kërkojnë ndjesë publike, dhe në rast se përsëritet duhet të lirojë vendin. Dua të theksoj se këto rregulla vlejnë për mua dhe i kam respektuar këto 8 vite dhe nuk e kam problem që t’i repsketojë dhe për 4 vite të tjera”, tha Rama.

Rama – ministrave: Nuk kemi kohë për të humbur me opozitën, mos shkelni në dërrasë të kalbur se do përballeni me ligjin

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e parë të qeverisë u ka dhënë porosi ministrave që të mos merren me akuzat e opozitës, pasi sipas tij askush nuk ka asnjë orë kohë për të humbur.

Më tej u ka kërkuar që të mos shkelin ligjin, pasi do të përballen me pasojat, por u shpreh se do të mbështes dhe do të mbrojë këdo kur sulmohet padrejtësisht. Në fund u kërkoi të gjithëve që të mbajnë larg familjet nga zyrat e shtetit dhe të mos bëjnë favore për askënd.

Politika nuk ka lindur si një mollë sherri, por si një mundësi që qeniet njerëzore të bëjmë punë. Ne kemi 4 vite kohë për t’i bërë gjërat që nuk janë bërë siç nuk janë bërë me parë. Nuk duhet të humbasim asnjë orë kohë për akuzat e opozitës, e lagu s’e lagu.

Shumë shpejt do të kemi një faqe online të re dhe çdo ministër duhet që çdo ministër do të përgjigjet me shkrim për çdo akuzë dhe do të mbajë përgjegjësi ligjore dhe morale. Unë po të jap një porosi, ministër nuk bëhesh vetë dhe të bën kryeministri. Kush shkel në dërrasë të kalbur punën e ka me organet ligjzbatuese.

Kjo është porosia ime, unë do të mbështesë të gjithë për të arritur objektivat e përbashkëta. Do të ruaj të gjithë, por askush nuk duhet që askush të shkel në dërrasë të kalbur. Familja ime nuk ka punë me shtetit, ndaj u lutem që të mbani dhe ju larg familjet tuaja dhe të mbani larg familjet nga zyrat e shtetit”, tha Rama.

Urdhri i Ramës: Të gjitha dhuratat e ministrave do të protokollohen dhe do të ruhen ne muze

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar të gjithë ministrave që të mos pranojnë dhuratat nga individë.

Ndërsa për sa i përket dhuratave që merren për arsye të detyrës shtetërore në udhëtime të ndryshme pune u ka kërkuar që t’i dorëzojnë në kryeministri të protokolluara dhe të gjitha do të ruhen në muzeun e ndërtuar në këtë institucion.

Kryeministria ka një magazinë ku ruhen të gjitha dhuratat, për shkak të detyrës që nga medaljonet e deri tek objektet artistike, pavarësisht vlerës së tyre monetare. Deri në 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, a thua se deri në 2013 këtu ka qëndruar ndonjë fuqi pushtuese, Jo vetëm nuk kanë lënë çfarë kanë marrë, por kanë marrë dhe çfarë kanë gjetur; piktura, abazhurë, karrige, pjata, pirunj, filxhanë e me radhë. Nuk bën përjashtim as zyrat ministrore.

Dhuratat e delegacioneve të çfarëdo natyre apo ato të individëve që kalojnë një vlerë të caktuar monetare, ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës tuaj ose duhen dorëzuar në muzeun e dhuratave protokollare. Duken gjëra të vogla, por këto janë norma që janë zbatuar në çdo shtet. Kodet do të vlejnë edhe për ministrat”, u shpreh Rama.

Rama i prerë me ministrat: Repsektoni etikën me Kuvendin, s’mund të lini sallën e seancave bosh

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama iu kërkoi ministrave të rinj respektimin e etikës në marrëdhëniet qeveri-parlament.

Kryeministri iu kërkoi praninë e tyre maksimale në seancat parlamentare përveçse në rastet e sëmundjeve apo mosndodhjeje në Tiranë. Njëkohësisht, ai i njohu edhe me procedurat e largimit nga seancat.

Etika e ministrit në këto marrëdhënie lidhet pazgjidhshmërisht me domosdoshmërinë e mishërimit në to të faktit të thjeshtë se qeveria buron nga parlamenti dhe nuk buron parlamenti nga qeveria, prandaj ju lutem shumë të gjithëve, prania juaj në komisionet parlamentare kur mbrohen politikat e qeverisë nuk duhet të vihet në diskutim, përveçse në raste ekstreme pamundësie të laboruara më parë apo edhe muajin e fundit dhe të dakordësuara me kryetarin e grupit parlamentar.

Ashtu sikundër vetëm në rast sëmundjeje apo mosndodhjeje në Tiranë, nuk duhet të vihet në diskutim prania juaj, e të gjithëve ju në hapjen e seancave të kuvendit. Lejohet prania, por prania vetëm në orën fikse të fillimit të seancës, njëkohësisht dhe skeduli i largimeve nga seancat duhet të dakordësohet me ministren për marrëdhënien me parlamentin në mënyrë që tryeza e qeverisë së Kuvendit të mos mbetet asnjëherë pa praninë e një të tretës së ministrave, ndërsa largimet për arsye të paparashikuara duhet të bëhen vetëm me lejen e kryetarit të grupit parlamentar.

Ky në fakt është minimumi etik në marrëdhëniet qeveri-parlament sepse kjo qeveri duhet të ndërtojë një raport të tërë komunikimi proaktiv me komisionin parlamentar, jo vetëm duke ndërvepruar sistematikisht me deputetët e grupit tonë në komisionin përkatës, por duke vënë në dijeni drejtuesit e opozitës në komisione për çështje me rëndësi apo për informacione të dobishme për punën”.

Ceremonia e betimit nuk u transmetua, Presidenca publikon FOTOT

Presidenca ka publikuar fotot e betimit të kabinetit të ri qeveritar. Ceremonia e betimit këtë herë nuk u transmetua drejtpërdrejt as nga Kryeministria dhe as nga Presidenca, por kjo e fundit ka publikuar disa fotot që tregojnë momentet kur Rama dhe ministrat betohen me dorën mbi kushtetutë.

Siç shihet dhe nga fotografitë, Rama dhe ministrat në një ceremoni solemne janë betuar para Metës, për të cilin kanë votuar për shkarkimin e tij nga detyra.

Ndërkohë edhe Presidenti iLir Meta para zgjedhjeve ishte shprehur se nuk do të betonte qeverinë “Rama 3”, nëse do të merrte më shumë se 70 mandate.

“Betohem”, publikohen pamjet e ceremonisë së betimit të qeverisë “Rama 3”

Ceremonia e betimit të qeverisë së re nuk u transmetua drejtpërdrejt. Teksa të gjithë prisnin që në Presidencë të shkonin ministrat, gjithçka kishte ndodhur brenda godinës dhe i gjithë kabineti qeveritar u largua nga ky institucion.

Rama dhe ministrat zgjodhën që rrugën në kthim ta bënin në këmbë dhe pse shkuan me makina.

Ndërkohë Presidenca ka publikuar pamjet e ceremonisë së betimit, ku i gjithë kabineti qeveritar me dorën mbi Kushtetutë është zotuar se do respektojë  ligjet e shtetit.

Njoftimi nga Presidenca

Anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, sipas procedurës kushtetuese.

Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Kryeministri Sh.T.Z Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave u betuan se: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”

Gjatë kësaj ceremonie solemne ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Sh.S.Znj. Lindita Nikolla dhe anëtarët e Kabinetit të Presidentit të Republikës./tvklan.al