Ministria e Financave ka rishikuar me ulje vlerën në para të prodhimit të brendshëm kombëtar. Në projektbuxhetin që ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë, qeveria ka vlerësuar se prodhimi i brendshëm bruto në vlerë absolute për vitin 2015-të , 2016-të dhe 2017-të  dhe dy vitet e ardhshme është më i ulët se ai që ka miratuar në kuadrin makroekonomik fiskal në muajin janar. Në total, për 5 vite parashikohet që ekonomia do të ketë prodhojë 720 milionë dollarë më pak.

Buxheti fillestar vlerësonte se ekonomia deri në 2019-ën do të prodhonte këtë vit 18.3 miliardë dollarë, ndërsa me projektligjin e rishikuar prodhimi vendas vlerësohet 17.5 miliardë.

Televizioni Klan mësoi se ndryshimi i këtyre shifrave ka ardhur si rrjedhojë e rivlerësimit që ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në raportin e fundit të vlerësimit të ekonomisë globale për tetorin, FMN ka ulur vlerën nominale të rritjes ekonomike për Shqipërinë. Me ndryshimet që iu bënë ligjit të buxhetit të shtetit, ekzekutivi tashmë detyrohet që vlerën në para të prodhimit kombëtar ta ketë të koordinuar me atë të Fondit.

E gjithë kjo situatë ka bërë që edhe pritshmëritë për borxhin publik për vitin që shkoi dhe atë aktual të mos jenë sipas targetimit që është bërë në fillim viti. Për 2016-tën, nga 71% e prodhimit të brendshëm bruto, borxhi vlerësohet në buxhetin faktik të ketë shkuar në 72.4%, ndërsa kjo përqindje do të jetë më e lartë edhe për vitin 2017-të.

Tv Klan