Diplomacia SHBA-Rusi është ende në lëvizje

Në Kharkiv, 30 kilometër larg kufirit, paniku për frikën e një sulmi nga ushtria ruse është shtuar nga dështimi i bisedimeve të Gjenevës.

Ky qytet, me një milion e gjysmë banorë, duket se është objektivi i pushtimit të Moskës: ka deklaruar Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur frikën e tij në një intervistë për gazetën amerikane “Washington Post” .

Të gjithë në Kharkiv janë të shqetësuar, natyrisht, por të gatshëm të luftojnë, nëse është e nevojshme, për atë që ata e quajnë “lirinë e tyre”. Jo vetëm Kharkiv, Odessa do të ishte gjithashtu një “qytet objektiv” i mundshëm për operacionin rus.

Sipas shumë analistëve ushtarakë, qëllimi i Putinit do të ishte shtrirja e pjesës së Ukrainës përtej kontrollit të Kievit, një “zonë gri” e vërtetë që përfundon nën patronazhin e Kremlinit. Pak si ajo që ndodhi në 2014 me Krimenë, por me një operacion “më pak ushtarak”.

Ndër skenarët e hipotezuar, i pari do të ishte një fazë “përparimi”: një ofensivë masive konvencionale, që zgjat disa muaj, e ndjekur nga një fazë e dytë “mirëmbajtjeje”. Si në Donbass, por në një pjesë shumë më të madhe të territorit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka apeluar palët se nuk duhet të ketë ndërhyrje ushtarake në Ukraine. Për Guterres diplomacia është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet ndërsa çdo pushtim nga një vend në tjetrin është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ndërsa diplomatët vazhdojnë misionin e tyre, imazhet e publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes tregojnë ushtrime ushtarake në perëndim, në rajonin Voronezh, pranë kufirit me Ukrainën.

Klan News