Kryeministri Edi Rama ka ftuar të pavaksinuar që të vaksinohen sa më shpejt. Kështu sipas kreut të qeverisë ata do të mbrojnë vetën, por edhe nuk do të ndodhen jashtë mundësisë së aksesit në mjedise publike në qoftëse situata e dimrit do ta imponojë diçka të tillë.

“Mirëmëngjes, dhe me ftesën për të pavaksinuarit që të vaksinohen një orë e më parë, për të mbrojtur veten e për të mos u ndodhur jashtë mundësisë së aksesit në mjedise publike, nëqoftëse situata e dimrit do ta imponojë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama bashkëngjitur videos ku thuhet se pas kaq shumë muajsh në pandemi, më në fund ekziston një zgjidhje që është vaksina.

Të enjten, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se ashtu si në vendet e Europës edhe Shqipëria do të vendosë “green pass”, për t’u futur në lokale apo për të marrë shërbime të tjera.

“Si hyhet në një lokal, në një bar, në një restorant në Europë? A hyhet me ‘green pass’? Do ta vëmë ‘green pass’-in. Si shkohet në strukturat e tjera të shërbimit? Do ta vëmë ‘green pass’-in, e vendosëm në universitete”, njoftoi ministrja./tvklan.al