Platformë online për të përfituar shtëpi nga rindërtimi

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndëshkime për të gjithë punonjësit e njësive vendore të cilët do të abuzojnë me ndarjen e dëmshpërblimeve apo përfshirjen në listën e rindërtimit të banesave për persona që nuk janë prekur nga tërmeti.

Kreu i qeverisë u tha drejtuesve të bashkive të prekura nga tërmeti se nuk do të tolerojë asnjë rast të tillë, e se ka ngritur një ekip për të monitoruar procesin.

“Do të ndëshkohen nëse futen familje që nuk kanë nevojë, apo të pasterehë që nuk janë prekur nnga tërmeti. Mos tentoni të bëni qoka”.

Në këtë frymë, Edi Rama ftoi opozitën që të jetë e zëshme me denoncime.

“Ftoj opozitën që të denoncojë rastet e abuzimit. Çdo baltë që do të hedhin do e duroj, nëse zbulohet qoftë dhe një familje e përjashtuar që nuk ka përfituar”.

Lidhur me faturën e dëmeve të tërmetit mbi 1 miliard Euro, Rama tha se një pjesë e saj ka të bëjë me dëmet që tërmeti ka shkaktuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, e ndërsa një pjesë tjetër lidhet me rindërtimin. Për këtë proces ai tha se do të financohet nga buxheti, një pjesë me Eurobond dhe donacione, ndërsa është duke u punuar edhe mbi një instrument të ri financiar për të mos lënë askënd pa shtëpi.

“Ne po punojmë për iniciativa të reja politike dhe operacione financiare që do të na mundësojnë që aspektin kryesor për ne që të mbajmë zotimin tonë”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin ftoi të gjithë të dëmtuarit që të nisin vetëdeklarimin duke nisur prej të mërkurës, të dëmeve që janë shkaktuar te banesa e tyre. Qytetarët do të asistohen nga punonjësit e njësive vendore që të plotësojnë formularin.

“Manuali është gati, platforma është gati. Këshillat Bashkiakë duhet të kalojnë pikëzimin dhe listat. Nuk do t’i lini qytetarët pa dokumente, duhet t’i bëni vetë. Do iu monitorojmë në kohë reale”.

Pas një muaji pritet që të mbyllet faza e parë e deklarimit të dëmeve, për ta vijuar me vlerësimin dhe hartimin e listës së përfitimeve. Po ashtu, ndërtimi i banesave individuale pritet të nisë më 10 Mars, ndërsa dëmshpërblim do të marrë çdo i dëmtuar sipas masës së dëmit të shkaktuar. Ditën e mërkurë kalojnë në  masterplane disa zona ku do të rindërtohet, duke adresuar problemin për 95% të të prekurve nga tërmeti.

Tv Klan