Kryesocialisti Edi Rama do të rinisë turnin e takimeve me shqiptarët e diasporës “Krenar për Shqipërinë”. Në datën 26 tetor ai do të fluturojë drejt SHBA për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në New York. Ndërkohë që siç konfirmojnë burime nga selia rozë. Rama do të ndalet në turin e tij për t’u takuar dhe me shqiptarët që jetojnë në Britani në një takim në Londër dhe ata që jetojnë e punojnë në Gjermani. Por për të dyja këto takime ende nuk ka një datë të saktë.

Kryesocialisti e nisi turnin në 12 Maj në Athinë dhe në 26 Maj u takua me shqiptarët që jetojnë në Itali, në takimin e Milanos. Por për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Britani ai e anulloi takimin e paralajmëruar në Qershor në Londër dhe po ashtu atë të Duseldorfit që përkonte me ndeshjen e kombëtares në Europianin e Gjermanisë.

Takimet e Ramës rinisin vetëm 2 muaj përpara se të nis procesi i regjistrimit për shqiptarët që do të duan të shprehin vullnetin e tyre me votë në zgjedhjet e 2025-ës. Vota e diasporës ka qenë një premtim i hershëm i socialistëve, por që u bë realitet duke bashkuar kartonat jeshilë me demokratët në korrik të këtij viti në parlament, për të amenduar Kodin Zgjedhor.

Socialistët janë shfaqur shumë të angazhuar për të marrë mbështetjen e diasporës për alternativën e tyre në Maj të 2025. Kryesocialisti vendosi Taulant Ballën drejtues të posaçëm politik për diasporën dhe ai ka zhvilluar disa takime me shqiptarët që jetojnë jashtë. Më të fundit atë me shqiptarët e Londrës këtë fundjavë.

Tv Klan