“TK” s’ishte pjella origjinale e arkitektit italian

Teatri i ri do të ndërtohet mbi rrënoja e Teatrit Kombëtar që u shemb më 17 Maj. Por Kryeministri Rama lajmëron në parlament se projekti i 1939, i arkitektit italian do të realizohet identik, por në një tjetër hapësirë dhe jo si teatër.

“Teatri i ri do të ndërtohet aty. Ne do ta marrim projektin origjinal motamo dhe do t’ja u rikthejmë jo aleancës, si pjesë e një programi më të madh dhe do ta kemi mes nesh jo aty. Godina e Teatrit Kombëtar nuk është fëmija i ligjshëm i autorit italian, por është fëmija bastard i një marrëdhënieje mes autorit dhe autores”.

Rama nuk e fsheh se me shembjen e teatrit u realizua ëndrra e tij 21-vjeçare, por zbulon se paraardhësi i tij kishte po ashtu si ai një projekt për shembjen e Teatrit Kombëtar, por jo për të ndërtuar një teatër të ri.

“Dhe kur unë kryetar Bashkie e kam pritur në zyrë, një dërgatë të një investitori të njohur shqiptar deri në vëllazëri me familjen e Kryeministrit të kohës. Kanë ardhur në zyrën time si kryetar Bashkie dhe më kanë paraqitur projektin si Plaza Shopping në truallin e Teatrit Kombëtar. Sepse duhej që bashkia ta mbështeste. Projekti ishte i bukur. I thashë shumë i bukur projekti, por këtu do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar”.

Në parlament Rama u mor jo pak me kundërshtarët politikë. Ironizoi Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin për deklaratat e tyre, se nuk do të lejonin shembjen e godinës.

“Teksa je duke ëndërruar se tanimë ke triumfuar dhe hap sytë dhe sheh që kalaja ka rënë, habitem si nuk na kanë njohur akoma dhe habitem si nuk na njihni akoma. Habitem si nuk do doni të kuptoni se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”.

Nuk kursen as Presidentin Meta dhe ish-Kryeministrin Berisha.

“Larg qoftë them unë që nuk e do Lulzim Basha teatrin. Ai është një artist i lindur, një aktor që i është huazuar politikës për t’i dhënë asaj shpirtin shekspirian. Them unë që nuk do teatrin Ilir Meta. Ai është gati të vendosë ballin e tij mbi Kushtetutën dhe të bëhet njësh me atë shqiponjën që është në atë kopertinën e Kushtetutës dhe të shfaqet papritur e pakujtuar në një mal të lartë duke u parashituar me Çim Pekën si çantë në krah për të na u turrur dhe për të na ngrënë mëlçinë të gjithëve. Pse? Për teatrin, patjetër, për Shekspirin, për Molierin. Patjetër dhe për Volterin, po Volteri është i Monikës. Një Budinë e madhe dhe një Budinë e vogël, që mbasi mbajnë fjalimin turren të përqafojnë artistin, Lulin”.

Teatri i ri thotë se është i Kadri Rroshit.

“I madhi Kadri Roshi që sot na sheh nga lart e ju sheh juve dhe ata e thotë ‘ah mor qenë bir qenësh’, dhe nuk ka gojë të flasë sot. Por vetëm ju nënqesh, e ka lënë amanet ndërtimin e një teatri të ri”.

Ai dënon linçimin që iu bë aktorëve që kërkojnë ndërtimin e teatrit të ri dhe i përmend ata me emra.

Tv Klan